Nga Dashnim HEBIBI
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka mbajtur një ligjëratë të veçantë në Universitetin prestigjioz Tama në Kanagava, ku ka folur për procesin e ndërtimit të paqes dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, duke ndarë përvoja akademike, diplomatike dhe personale nga rrugëtimi i vendit tonë.
Në këtë ligjëratë, Ambasadori Kiçmari ka trajtuar rrugën e Kosovës drejt paqes, lirisë dhe pavarësisë, si dhe rolin vendimtar të bashkësisë ndërkombëtare në rindërtimin e vendit në periudhën pas luftës. Ai theksoi se ndërtimi i paqes në Kosovë nuk ka qenë një proces i lehtë, por një rrugëtim i gjatë, i mbështetur mbi sakrificën dhe vullnetin e popullit të Kosovës, si dhe mbi solidaritetin ndërkombëtar.

Duke u mbështetur edhe në përvojën e tij personale në diplomaci, Prof. Kiçmari ofroi reflektime të drejtpërdrejta mbi sfidat dhe arritjet e Kosovës në procesin e konsolidimit të shtetit dhe ndërtimit të institucioneve demokratike. Ai nënvizoi se paqja në Kosovë është mbi të gjitha rezultat i vendosmërisë së qytetarëve të saj për liri dhe demokraci, e përforcuar nga mbështetja e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të aleatëve të Kosovës, ku Ambasadori Kiçmari shprehu mirënjohje të thellë për Japoninë, si një nga donatorët kryesorë që ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në proceset e shtetndërtimit të Kosovës. Ai veçoi posaçërisht Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për rolin e saj të rëndësishëm në mbështetjen e projekteve zhvillimore dhe institucionale në Kosovë.
Para mbajtjes së ligjëratës, Ambasadori i Kosovës u prit në një takim zyrtar nga Zëvendëspresidenti dhe Dekani i Shkollës së Studimeve Globale të Universitetit Tama, z. Jun Niimi, ish-ambasador i Japonisë në Portugali dhe mik i dëshmuar i Kosovës. Gjatë këtij takimi, u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Universitetit Tama, duke hapur perspektiva të reja për shkëmbime akademike dhe projekte të përbashkëta kërkimore.
Në përmbyllje, Ambasadori Kiçmari shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për profesoreshën Dr. Aigul Kulnazarova, për ftesën dhe organizimin e kësaj ligjërate, e cila u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të prezantuar përvojën e Kosovës në ndërtimin e paqes para komunitetit akademik japonez.
Ligjërata e Prof. Dr. Sabri Kiçmarit dëshmoi edhe një herë forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Kosovës dhe Japonisë, si dhe interesimin në rritje të institucioneve akademike ndërkombëtare për përvojën e Kosovës në paqe, shtetndërtim dhe demokraci.
/ helveticALforum.ch




