Ambasadori i Republikës së Kosovës në Konfederatën Zvicerane, z. Mentor Latifi, ka realizuar një takim të rëndësishëm diplomatik me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, z. Guy Parmelin, në kuadër të pritjes tradicionale të Vitit të Ri për trupin diplomatik të akredituar në Bernë. Sipas informacioneve të publikuara nga helveticALforum.ch, Ambasadori Latifi mori pjesë në këtë ngjarje solemne, ku u prit zyrtarisht nga i pari i shtetit helvetik, së bashku me përfaqësues të tjerë diplomatikë nga vende të ndryshme të botës.

Gjatë këtij takimi, Ambasadori Latifi e falënderoi Presidentin Parmelin për miratimin e fundit të Marrëveshjes së EFTA-s nga Këshilli Kombëtar Zviceran, duke e cilësuar këtë vendim si një hap shumë të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ai theksoi se kjo marrëveshje krijon mundësi të reja bashkëpunimi dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Me këtë rast, Ambasadori i Kosovës i përcolli Presidentit Parmelin urimet më të mira për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral me Konfederatën Zvicerane në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ky takim konfirmon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe rolin aktiv të diplomacisë kosovare në avancimin e interesave shtetërore në arenën ndërkombëtare, transmeton helveticALforum.ch




