Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në një shkrim autorial të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së Gjermanisë, ka folur për mikpritjen në Kosovë, punën që do ta bëjë, por edhe përqendrimin në çështjet kryesore në vendin tonë.
Diplomati gjerman, ndër pritjet e tij, si më kryesoren e konsideron përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe dialogun me Serbinë.
Rudolph pret nga Qeveria e re të angazhohet fortë në këtë proces të normalizimit të raporteve. Nga një qeveri e re, na duhet një angazhim i fortë ndaj dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE. Zgjedhjet lokale të qeta dhe dorëzimi i administratave komunale te kryetarët e sapozgjedhur të bashkive në veri ishin padyshim inkurajuese në këtë drejtim. Në fund të fundit, të gjitha komunitetet në vend duhet të ndihen si në shtëpi në një Kosovë shumë-etnike.
“Pra, është edhe më e rëndësishme që Kosova të përqendrohet në ato hapa që mund të ndërmarrë vetë. Njoftimi i fundit se Komisioni Evropian po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës pas transferimit paqësor të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale është një lajm i shkëlqyer”, ka shkruar Rudolph.
Ai thotë se vendi ka nevojë për një qeveri që mund të flasë në emër të Kosovë në arenën ndërkombëtare dhe që të zbatojë vendimet brenda vendit.
Sipas diplomatit gjerman, ngërçi i vitit 2025 e ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe janë humbur mjete financiare të cilat Kosova ka mundur t’i marrë, transmeton BS.




