Përgatiti Dashnim HEBIBI
Davos, 22 janar 2026 – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë të Zvicrës po qëndron në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, ku krahas agjendës së ngjeshur me takime të shumta me personalitete dhe përfaqësues institucionalë nga mbarë bota, ka realizuar edhe një takim të veçantë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Takimi është mbajtur në ambientet e “Shtëpisë së Kosovës” në Davos dhe ka qenë një bashkëbisedim i hapur dhe vëllazëror, ku u diskutua për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, zhvillimet rajonale, si dhe për rolin dhe rëndësinë e mërgatës shqiptare, me theks të veçantë në Zvicër.
Sipas burimeve të helveticALforum.ch, gjatë këtij takimi u theksua kontributi i vazhdueshëm i diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror të vendeve të origjinës, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe mërgatës.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi, si dhe shoqëruesi i ambasadorit të RMV-së, z. Florim Useini, ish-kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, i cili njihet për angazhimin e tij në fuqizimin e lidhjeve ekonomike dhe të biznesit mes mërgatës dhe vendeve amë, transmeton helveticALforum.ch




