Në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE”, të zhvilluar në Vlorë, ambasadori i Spanjës, Gabriel Ventura, dhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard, kanë vlerësuar hapat e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, duke theksuar mbështetjen e vendeve të tyre për këtë proces.
Ambasadori spanjoll Gabriel Ventura u shpreh se Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, duke arritur vitin e kaluar çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave. Ai theksoi se dy vitet e ardhshme do të jenë kritike dhe vendi duhet të vazhdojë me vendosmëri reformat, sidomos në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përparimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vitin e kaluar u arrit çelja e të gjithë kapitujve. Kemi 2 vite kritike negociatash dhe Shqipëria duhet të vazhdojë të ecë në mënyrë vendimtare me procesin e reformave që ka nisur. Për këtë Shqipëria do të duhet të vazhdojë me përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë deri më tani, sidomos sa i përket grup kapitullit të themeloreve sundimit të ligjit dhe sidomos në fusha si reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Spanja i ka mbështetur këto përpjekje”, theksoi ai.
Ai shtoi se Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE përmes meritës dhe jo si dhuratë, teksa theksoi mbështetjen e Spanjës. Ai përmendi edhe idenë e kryeministrit Rama për kufizimin e fuqive të vetos, si një çështje që Spanja e ka mbështetur vazhdimisht.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë sa herë që Shqipëria do të mendojë se do të jetë e dobishëm për këtë qëllim. Bashkëpunimi mes dy vendeve mike që ndajnë të njëjtin objektiv që Shqipëria të bëhet sa më shpejt anëtare e BE. Megjithatë kjo nuk do të ndodhë sepse BE do tja dhurojë Shqipërisë, por sepse Shqipëria e meriton me të drejtë përmes optikës së procesit bazuar në meritë. Ne inkurajojmë këto përpjekje. Kjo është vetëm një pjesë e historisë, përpjekjet tuaja që ne do t’i mbështesim, por pas përfundimit të negociatave, me shpresë në 2027, duhet nënshkruar një traktat anëtarësimi që do të ratifikohet nga 27 vende anëtare. Ideja e kryeministrit Rama për të kufizuar fuqitë e vetos për anëtarët e rinj, mund të jetë diçka për t’u marrë në konsideratë sidomos në kontekstit të pamundësisë së BE për të çuar përpara reformat e domosdoshme për t’u siguruar që organizatat të funksionojnë në mënyrë efikase ndërkohë që numri i anëtarëve rritet. Kjo është një çështje që kryeministri i Spanjës e ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm që peizazhi politik në Europë po bëhet gjithnjë e më kompleks”, tha ambasadori Ventura
Ambasadorja franceze Catherine Suard vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria, duke përmendur drejtësinë, digjitalizimin e shërbimeve, forcimin e institucioneve dhe ekonomisë, si dhe harmonizimin me politikën e jashtme. Ajo shtoi se kilometrat e fundit të këtij rrugëtimi janë më të vështirët, por edhe njëherë konfirmoi mbështetjen e Francës.
“Në rrugëtimin drejt BE, askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka kryer hapa gjigandë. Nga reforma e drejtësisë te digjitalizimi i shërbimeve, nga forcimi i institucioneve te forcimi i ekonomisë, nga mbrojtja e qytetarëve te mbrojtja e natyrës, harmonizimi me politikën e jashtme, arritjet e Shqipërisë janë të konsiderueshme. Janë këto arritje që na japin besimin dhe pikërisht për këtë besim, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, erdhi të dëshmojë gjatë 2 vizitave të tij të fundit në Shqipëri. Këto vizita i dhanë marrëdhënies mes dy vendeve një ritëm të pandërprerë. Shqipëria jo vetëm ecën drejt Europës, ajo e shtrin hapin. Reformat e ndërmarra janë hapa të mëdhenj strategjik duke e bërë Shqipërinë më hapur, më familjare, më të integruar me Europën tonë. Franca e mbështet këtë dinamikë integrimi gradual dhe meritën e saj transformuese. Franca synon ta mbështesë këtë dinamikë. Cilat janë ata hapa të fundit që kanë ngelur për t’u hedhur. Kilometrat e fundit janë më të vështirët. Ne po arrijmë në momentin ku rruga po bëhet më e vështirë. Franca është krenare që sjellë ekspertizë dhe përvojë veçanërisht në fushën gjyqësore. Dëshiroj që kjo të vazhdojë kështu deri anëtarësim dhe më pas”, u shpreh ambasadorja Suard, transmeton rtsh.




