POSTIMET E FUNDIT

Ambasada shqiptare në Zvicër ofron shërbim konsullor të dedikuar për qytetarët në nevojë

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë ka njoftuar një nismë të re në shërbim të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe që për arsye të ndryshme e kanë të pamundur të paraqiten fizikisht për të aplikuar për dokumente identifikimi. Ky angazhim vjen në kuadër të përpjekjeve për të qenë sa më pranë komunitetit dhe për të garantuar akses të barabartë në shërbimet konsullore.

Shërbimi i posaçëm synon veçanërisht ata shtetas që nuk mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë apo të paraqiten pranë Ambasadës në Bernë. Përmes kësaj iniciative, Ambasada po shqyrton mundësinë e organizimit të një shërbimi të dedikuar, në varësi të numrit të kërkesave të paraqitura.

Qytetarët e interesuar ftohen të dërgojnë kërkesën e tyre në adresën elektronike zyrtare të Ambasadës, duke bashkëngjitur dokumentacionin përkatës. Shërbimet që pritet të ofrohen përfshijnë pajisjen me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti (ID), dokumente thelbësore për identifikimin dhe lëvizjen e qytetarëve.

Për të përfituar nga ky shërbim, aplikuesit duhet të paraqesin një kopje të dokumenteve aktuale identifikuese, adresën e plotë të vendbanimit si dhe një numër telefoni funksional për kontakt të mëtejshëm.

Autoritetet konsullore theksojnë se kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve për diasporën shqiptare dhe nxisin të gjithë ata që ndodhen në kushte të tilla të mos hezitojnë të aplikojnë.

Ambasada shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e qytetarëve dhe siguron se do të vazhdojë të punojë për të lehtësuar aksesin në shërbime për çdo shtetas shqiptar në nevojë, transmeton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB