Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen si Kryeministër i Kosovës, duke theksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe.
“Urime për rizgjedhjen si Kryeministër, i dashur Albin Kurti”, thuhet në postimin e Ambasadës gjermane në Facebook.
Sipas njoftimit, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Gjermanisë, Christian Bottcher, ka përcjellë urimet e ambasadorit menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
“Duke u bazuar në marrëdhëniet e ngushta dhe unike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, presim të vazhdojmë dhe të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë dypalësh në fushat e ekonomisë, sigurisë, politikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani. “Kosova nuk ka vetëm një mik, por një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani”, thuhet më tej.
Në fund, Ambasada gjermane ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe i ka uruar sukses Kurtit në mandatin e ri.
“Presim të punojmë së bashku në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës. Urimet më të mira për sukses në mandatin e ri, i dashur Kryeministër”, thuhet në postim./TEL




