-0.2 C
Zurich
Monday, December 29, 2025
spot_img
spot_img

Ali Ahmeti uron Albin Kurtin dhe Kosovën për zgjedhje të qeta dhe demokratike

Duhet ti lexosh

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, të lira dhe demokratike, duke i cilësuar ato si një dëshmi të pjekurisë së lartë politike dhe institucionale të shtetit të Kosovës.

Në mesazhin e tij të urimit, Ahmeti ka theksuar se procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua në përputhje të plotë me standardet evropiane, duke reflektuar vullnetin e lirë të qytetarëve dhe forcën e institucioneve demokratike të vendit, transmeton helveticALforum.ch

“I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, duke konfirmuar vullnetin e lirë të qytetarëve dhe stabilitetin institucional të Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka uruar në mënyrë të veçantë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryeministrin Albin Kurti për fitoren e arritur në zgjedhje, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe një vizion të qartë shtetëror në shërbim të qytetarëve të saj.

“Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve dhe forcimit të shtetit”, ka theksuar lideri i BDI-së. Duke rikujtuar kontributin e tij personal në proceset historike për lirinë e Kosovës, Ahmeti ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të rrugës euroatlantike të vendit, si garanci për paqe dhe zhvillim afatgjatë.

“Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, është shprehur Ahmeti. Në fund të mesazhit të tij, ai ka ritheksuar se një Kosovë e lirë, e fortë dhe e zhvilluar mbetet një ideal i përbashkët për të gjithë shqiptarët.

“Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët”, ka përfunduar Ahmeti, transmeton helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme