Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti apo Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu tha se këto amendamente synojnë të eliminojnë ngërçet politike që po pengojnë funksionimin normal të institucioneve dhe që rrezikojnë stabilitetin institucional.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, shkroi Haxhiu.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që deputetët të mbështesin këto amendamente në Kuvend, duke u bashkuar me kërkesën e presidentes Osmani për votim.
Propozimi për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit është inicuar nga Vjosa Osmani, me qëllim që të shmangen bllokadat politike që kanë karakterizuar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në Kuvendin e Kosovës. Ky ndryshim pritet të ndryshojë rrjedhën e politikës kosovare dhe të forcojë transparencën e procesit të zgjedhjeve presidenciale.




