POSTIMET E FUNDIT

Albulena Haxhiu: Eliot Engel, mik i përjetshëm i Kosovës dhe zë i fuqishëm i lirisë

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të dëshmuar dhe mbështetës të palëkundur të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Haxhiu vlerësoi lart rolin e Engelit në periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit, duke theksuar se ai për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan ka qëndruar në anën e drejtë të historisë.

“Ai ishte një zë i fuqishëm për lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke filluar nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, e deri te mbështetja për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe proceset e konsolidimit të shtetit tonë,” ka shkruar Haxhiu.

Ajo shtoi se Engel ishte një aleat i palëkundur i Kosovës në çdo etapë të zhvillimit të saj, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes ndërkombëtare dhe në avancimin e çështjes së saj në arenën globale.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, Haxhiu u ka shprehur ngushëllime familjes Engel dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë në historinë dhe kujtesën kolektive të Kosovës.

“Kontributi i tij i çmuar dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm ndaj lirisë dhe shtetësisë së Kosovës nuk do të harrohen kurrë,” përfundoi ajo.

Vdekja e Eliot Engel shënon një humbje të madhe për miqtë e Kosovës në botë, por njëkohësisht rikujton rolin e rëndësishëm që ai luajti në momentet kyçe të historisë së saj, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB