Me më pak se dhjetë ditë të mbetura nga afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së vendit, Kryeministri i Kosovos, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është theksuar nevoja për bashkëpunim ndërmjet deputetëve për të garantuar një proces të suksesshëm votimi, duke qenë se për zgjedhjen e presidentit kërkohen së paku dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve në seancë.
Kryeministri Kurti ka falënderuar liderin e opozitës për bashkëpunimin e mëparshëm, veçanërisht në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e vlerësuar këtë si shembull të përgjegjësisë institucionale në momente të rëndësishme për shtetin.
Nga ana e tij, Hamza ka shprehur gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror dhe kombëtar, duke theksuar rëndësinë e dialogut konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës.
Në takim janë diskutuar edhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon, si dhe nevoja për hapjen e një kapitulli të ri komunikimi ndërmjet pozitës dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik në vend.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit ishte ndër temat kryesore të bisedës, duke marrë parasysh afatin e afërt kushtetues. Në këtë kuadër, Kryeministri Kurti pritet të vazhdojë takimet konsultative edhe me liderë të tjerë politikë. Të hënën, më 23 shkurt, ai do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vijuar koordinimin parlamentar, transmeton rtk.




