Kryetari i Albin Kurti dhe kryeministri aktual i Kosovës ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit do të vazhdojë me propozime të kandidatëve në baza partiake, pas refuzimit të ofertës nga profesori Murat Jashari, të cilin Kurti e konsideroi si një figurë ideale unifikuese.
“Zgjedhja e një figure si Murat Jashari edhe sot do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Ky vazhdon të mbetet rasti ideal,” tha Kurti gjatë fjalimit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje.
Ai shpjegoi se Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit dhe se për këtë arsye janë zhvilluar takime me liderët e partive opozitare. Megjithatë, PDK-ja ka theksuar se kandidati për president duhet të vijë nga radhët e tyre. “Nëse nuk gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë çdo subjekt do të propozojë kandidatin e vet partiak dhe zgjedhja do të zhvillohet brenda Kuvendit,” tha Kurti.
Ai njoftoi gjithashtu se nesër do të ftojë kryetarin e LDK, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth këtij procesi.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit, Kurti tha se fitorja e VV-së ka një rëndësi “numerike dhe politike” dhe se qytetarët kanë vlerësuar progresin zhvillimor dhe stabilitetin institucional. Ai gjithashtu theksoi angazhimin për të investuar 3 miliardë euro në ushtri, prodhim dhe investime kapitale, si dhe për të avancuar sektorin e energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk arritën konsensus për zgjedhjen e presidentit, ndërsa kandidaturat për këtë post tashmë janë shpallur nga presidentja aktuale Vjosa Osmani dhe profesori dhe ish-deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, transmeton rtk.




