11 C
Zurich
Monday, February 23, 2026
spot_img
spot_img

POSTIMET E FUNDIT

Albin Kurti: Nuk kemi emër të përveçëm për president, duhen 83–85 vota për zgjedhje të sigurt

Pas takimit me kreun e Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një kandidat të përveçëm për postin e presidentit. Sipas tij, një situatë e tillë vlen edhe për Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat, siç tha ai, nuk kanë paraqitur një emër konkret për këtë pozitë.

Kurti theksoi se LVV nuk ka garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një kandidat të shpallur për president dhe nuk ka anëtar partie që synon këtë post si kandidaturë zyrtare të subjektit. “Njësoj vlen edhe për dy partitë tjera të mëdha e tradicionale, PDK dhe LDK,” u shpreh ai, duke iu referuar takimeve të fundit politike.

Sipas kryeministrit, në ditët në vijim duhet të gjendet një emër që garanton mbështetjen e së paku dy të tretave të deputetëve në sallë në momentin e votimit. Afati i fundit për përzgjedhjen e kandidatit, sipas tij, është më së largu 4 marsi. Në të kundërtën, subjektet politike duhet të merren vesh për hapat e mëtejmë.

Kurti pranoi se, ndonëse shumica parlamentare aktuale numëron 66 deputetë (57 nga LVV dhe 9 nga komunitetet joshumicë), ky numër është larg 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Ai rikujtoi se në legjislaturën e kaluar kishin qenë afër sigurimit të 61 votave, por kësaj radhe sfida është më e madhe.

“80 është larg, nuk janë në pyetje 5 por 14 vota, dhe 14 me kusht që nuk mungon asnjë deputet,” deklaroi Kurti, duke shtuar se për të shmangur rrezikun e dështimit në votim, nevojiten 83 deri në 85 deputetë. Sipas tij, mjafton mungesa e një apo dy deputetëve që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, potencialisht në muajin prill.

Ai paralajmëroi intensifikim të bisedimeve me partitë politike në ditët në vijim, por theksoi se as një formulë bashkëpunimi mes LVV-së dhe LDK-së nuk garanton automatikisht zgjidhjen e situatës.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet një nga sfidat kryesore politike të javëve të ardhshme, ndërsa mbetet për t’u parë nëse spektri politik do të arrijë konsensusin e nevojshëm apo vendi do të përballet me zgjedhje të reja, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB