Nga Prof. Dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Ahmaku ecën nëpër botë, me 32 budallenj në kokë, të rreshtuar si ushtarë plasteline,
që s’dinë nga shkohet,
as nga vjen mendja.
Njëri i thotë: “Shko djathtas!”
tjetri i ulërin: “Jo, majtas!” i treti përplaset me mur dhe thotë se muri s’ka faj,
fajin e ka ajri që fryn gabim.
Njëri i thotë: “Folu fort njerëzve!”
tjetri: “Jo, ul zërin, mos u duk.”
i treti kërkon duartrokitje, para se të hapet perdja, edhe pse s’ka skenë, s’ka art, s’ka publik.
Ahmaku i mban të gjithë brenda, si bari që ruan 32 dele të çmendura, dhe sa herë mendon të heshtë, ata nisin këngën e tyre budallaqe, ku ritmi është kaos, dhe teksti është turpi i ditës.
E pra, ahmaku nuk është vetëm
një njeri me mend pak të rëndë, ai është mbreti i një oborri të marrë, një mbret me kurorë prej vorbullash, që s’e kupton se e vetmja pasuri
që ka në kokë, është varfëria e 32 zërave
që s’njohin as turp, as arsye, as veten.
Kjo është tragjikomedia e tij: sa herë hap gojën,
flasin budallenjtë; sa herë përpiqet të mendojë,
i zihen rrugës njëri-tjetrit.
Dhe bota qesh me të, jo se bën humor, por se ai vetë, është bërë humor.
Vetëm kështu …
X.L. Nëntor 2025
