POSTIMET E FUNDIT

Ademi: Lojtarët tanë ndaj Turqisë do të japin më shumë se 100% nga vetja

Agim Ademi, kryetar i FFK-së, ka thënë se Kupa e Botës, që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë, është nga ngjarjet më të mëdha të momentit. Sipas tij, çështja e Kosovës që është bërë temë diskutimi në pothuajse të gjitha mediat e botës, ka të bëjë me faktin se Kombëtarja Dardane është e re dhe po tregon rezultate të mira.

“Për vetë faktin se një shtet si Kosova, vetëm 10 vjet si anëtare në UEFA dhe FIFA, për kaq pak kohë të arrish këto rezultate, ka bërë që të flitet për të gjithandej. Mund të them lirisht që shpirti luftarak dhe dashuria ndaj futbollit vendosi që, duke e ditur rëndësinë e kësaj gare dhe kësaj ndeshjeje e cila i paraprin një kampionati botëror, dhe ne asnjëherë më parë se kemi pasur këtë rast, këtë e kanë ditur të gjithë dhe ky ka qenë motivi i djemve. Është edhe projekti shumë profesional i shtabit teknik dhe i FFK-së, dhe sidomos puna e Fodës me stafin e tij, por edhe forma e futbollistëve që janë aktorët kryesorë, dhe tash Kosova ka futbollistë nëpër të gjitha ligat më prestigjioze të Evropës”, deklaroi Ademi.

Për përballjen me Turqinë, kreu i FFK-së tha se janë të vetëdijshëm për kualitetet e kombëtares kundërshtare, por theksoi se loja si vendës është pozitive për “Dardanët”. “Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së djeshme, automatikisht hyn në formatin e ndeshjes tjetër. Duhet të rikuperohesh dhe të kesh vëmendjen e ndeshjes finale për ne. Motivimi është shkuarja në Kampionat Botëror. Nuk ka se si t’i motivosh ndryshe djemtë, sepse janë aq të vetëdijshëm e të përkushtuar për këtë ndeshje dhe për të korrur rezultat – do ta japin 100%, ndoshta edhe më shumë. Shpresoj dhe besoj të kemi edhe rezultatin final, hapin e fundit. Jemi në vendin tonë, para tifozëve tanë, dhe e kemi përkrahjen. Ne nuk e kemi presionin, e as futbollistët, sepse e dinë rëndësinë e saj”.

Shpresoj veç të jenë mirë fizikisht lojtarët, të jenë mirë gjatë stërvitjeve, ose të mos kenë ndonjë sëmundje tjetër, sepse Turqia është kombëtare e fortë, e ranguar më mirë se ne, por në futboll jo gjithherë fiton favoriti”, u shpreh kreu i FFK-së.

Ai pati fjalë të mira për tifozërinë dardane, teksa është shprehur i indinjuar me faktin se Kosova nuk e ka një stadium më të madh.

Dardanët kanë qenë gjithmonë bashkë, prezent në të gjitha fushat nuk është presion, por energji shtesë. Fatkeqësisht, stadiumi ynë i zë vetëm 12 mijë e disa shikues. Një pjesë e konsiderueshme e biletave shkon për turqit, sepse është obligim kontraktual. Është fatkeqësi për neve që nuk e kemi një stadium me një kapacitet më të madh të shikuesve”, tha më tej Agim Ademi, kryetar i FFK-së./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB