Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është radhitur i pari në rajon dhe i shtati në Evropë për nga rritja e numrit të pasagjerëve. Këtë vë në pah raporti i fundit i ACI Europe, duke e pozicionuar në mesin e aeroporteve me rritjen më të shpejtë në kontinent.
Ndërkohë, me shërbimet e aeroportit të Prishtinës, të kënaqur shprehen edhe qytetarët, duke vlerësuar organizimin, efikasitetin, dhe korrektësinë e stafit.
Radhitja e Aeroportit të Prishtinës, mes 10 aeroporteve më të frekuentuara në Evropë, mbetet një tregues i qartë i një tregu në zhvillim të vazhdueshëm dhe me potencial afatgjatë. Ndërkohë që sipas zyrtarëve të aeroportit kjo është sfidë për forcimin e mëtejmë të rrjetit ajror, rritjen e kapaciteteve dhe konsolidimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës,si një nyje rajonale e besueshme dhe konkurruese.
Përgjatë vitit të kaluar, Aeroporti i Prishtinës, ka ofruar shërbim për mbi 4.6 milion udhëtar që pasqyron një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitit paraprak. Këto të dhëna pasqyrojnë rritjen e qëndrueshme të kërkesës për udhëtime ajrore. /BS




