Nga Saimir Kadiu
Shqiptari Abidin Dino… regjizori i filmit të famshëm “Goal” për Botërorin e vitit 1966. 60 vjet më parë, më 30 korrik 1966, Anglia mundi në finalen e madhe RFGJ-në 4–2 pas kohës shtesë dhe u shpall Kampione e Botës. Për arsye të moshës (kam qenë vetëm 3 vjeç), nuk kam pasur fatin ta shikoja “live” këtë botëror fantastik.
Por disa vite më pas do të ishte një film fantastik për këtë botëror, të cilin do ta shikoja dhjetëra herë te Kinema “Dajti”. Dhe yjet e ’66-ës – Bobby Charlton, Bobby Moore, Jeff Hurst, Seeler, Beckenbauer, Eusebio, Haller, Jashin, Albert, Ratini etj. – më dukeshin si fqinjë që i takoje çdo ditë te Kinema “Dajti”…
Filmi “Goal” do të bëhej një dashuri e madhe e brezit tim, që luante “mendsh” për këmbët e topit. Por askush nuk e dinte që ky film dokumentar i jashtëzakonshëm kishte lidhje edhe me shqiptarët…Një nga regjizorët e tij, ai më artisti, më fantazisti, më romantiku, ishte me gjak shqiptar, nga një familje e madhe shqiptare.
Quhej Abidin Dino…
Abidin Dino vizatoi një numër skicash të shpejta të skenave në Londër në vitin 1966, në format A4, në përgatitje të dokumentarit “Goal! World Cup 1966”.
Me regji nga Abidin Dino dhe Ross Devenish, filmi “Goal” fitoi çmimin BAFTA për dokumentarin më të mirë për Kupën e Botës 1966.
Ka qenë një nga dokumentarët më të mirë të historisë së futbollit. Detajet fantastike të filmit janë të gjitha “made in” Abidin Dino…
Nuk ishte thjesht një film për futbollin, por përfshinte jetën, ndjenjat dhe botën e njerëzve që ndiqnin lojën magjike të topit.
Kush ishte Abidin Dino?
Dino ishte një nga mjeshtrat e pikturës moderne turke, ndër piktorët më të mëdhenj turq të shekullit XX.
Ka lindur në Stamboll më 23 mars 1913, në një familje me origjinë shqiptare nga Çamëria. Gjyshi i tij ishte Abidin Dino (lindur në Prevezë të Çamërisë në vitin 1843 dhe vdekur në Turqi në vitin 1906), ministër i Jashtëm i Turqisë dhe një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit, një personalitet i madh i kohës, njëkohësisht edhe themelues i Bursës së Stambollit.
Babai i tij ishte Rasih Dino (1865–1928), delegat i Çamërisë në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Në vitin 1913, Rasih Dino ishte kryetar i delegacionit të Shqipërisë së Ismail Qemalit në Londër, në kohën e nënshkrimit të Traktatit të Londrës, i shoqëruar nga Mehmet Konica dhe Filip Noga. Ky delegacion i paraqiti ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Britanike, Edward Grey, vijën e kufirit shtetëror të viseve etnike shqiptare dhe një pasqyrë të hollësishme të përbërjes së popullsisë në këto krahina.
Artisti i ardhshëm jetoi me familjen e tij në Zvicër dhe Francë deri në moshën 12 vjeç.
Më pas filloi shkollën e mesme amerikane “Robert College” në Stamboll, por u largua për t’u bërë piktor. Punoi si karikaturist dhe ilustrues dhe u përfshi në projekte në Paris, Leningrad, Moskë dhe Kiev (i ftuar nga kineasti i famshëm rus Sergey Yutkevich).
Dino projektoi gjithashtu Pavijonin turk për Panairin e New York-ut në vitin 1939.
Pas luftës, nuk parapëlqehej nga politika turke e kohës; u internua në Turqinë juglindore dhe më pas, me ndihmën e miqve të tij, emigroi në Paris, ku jetoi deri në vdekjen e tij në vitin 1993.
Ishte mik i ngushtë i personaliteteve si Picasso, Gertrude Stein, Tristan Tzara, Nazim Hikmet, Yaşar Kemal, Max Ernst etj.
Para pesë vitesh isha për një vizitë pune në Stamboll. Shfrytëzova rastin për të parë disa librari të famshme të qytetit, midis të cilave edhe librarinë “Denizler Kitabevi” në Beyoğlu, e njohur për librat e vjetër, hartat, gravurat dhe vizatimet e piktorëve të mëdhenj turq, si dhe fotografitë e Ara Güler.
Krenari e veçantë kur librashitësi shumë i kulturuar përmendi “arnautin” Abidin Dino si piktorin më të madh dhe më të rëndësishëm turk të shekullit XX.
Ai jo vetëm që është njëri ndër pionierët e pikturës moderne turke, por ka prodhuar edhe shumë vepra në fusha të ndryshme si karikaturë, skulpturë, qeramikë, kinema dhe letërsi.
Nga fisi Dino kanë dalë edhe dy piktorë të tjerë të shquar: Arif Dino (vëllai i Abidinit) dhe Ali Dino (1890–1938), një nga piktorët më të njohur në Greqinë e viteve ’30, si dhe deputet në parlamentin grek.
Motra e tij, Lejla Dino, ishte kryetare e Shoqatës së Grave Shqiptare të diasporës dhe i shkroi letër gruas së presidentit Wilson për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.
Vëllai tjetër, Ahmet Dino, ishte një nga vallëzuesit modernë më në zë të Zvicrës në kohën e vet.
Në atdheun e të parëve të tij, në Sarandë, ka një rrugë që mban emrin Abidin Dino. Por nuk dihet nëse është për gjyshin apo për nipin (mendoj se është për gjyshin).
Përkthyesi i njohur Jusuf Vrioni (nga nëna) është kushëri i afërt i Abidin Dinos (gjyshërit janë vëllezër). Ata u takuan në Paris në tetor 1992.
Dino vdiq më 7 dhjetor 1993 në spitalin Villejuif në Paris. Trupi i tij prehet në varrezat Aşiyan në Stamboll.
Në librin e tij “Dino – Shtegtari i Portës Sublime”, Luan Rama shkruan:
“Abedini ishte vetë fisnikëria… liria e tij supreme, finesë supreme… Humori i tij ishte në vazhdën e një spiritualiteti humanist dhe laik…”
Vdekja e tij preku një numër të madh intelektualësh e artistësh nga kombe të ndryshme.
Një gjë nuk e kam kuptuar: si është e mundur që regjimi komunist nuk e ftoi asnjëherë në Shqipëri, kur ai nuk përbënte rrezik për të? Madje, në festat e nëntorit që organizonte Ambasada shqiptare në Paris, ai ishte ndër të ftuarit kryesorë.
Ndoshta ndikonte edhe lidhja farefisnore me Mazar Dinon.
Abidin Dino dhe Mazar Dino i përkisnin të njëjtës familje nga Çamëria, por jetuan në vende të ndryshme dhe patën fate krejt të ndryshme: njëri u bë simbol i artit modern turk, tjetri u bë viktimë e tragjedisë çame.
Nuk besoj se ka pasur ndonjë artist shqiptar më të madh se Abidin Dino (ndoshta edhe më i madh se Ibrahim Kodra), në vitet 1950–1980, që jetonte jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë, në Shqipëri përmendej vetëm i ati, Rasih Dino, në historinë e Pavarësisë – dhe kaq.
Ftonin lloj-lloj bozhibozukësh dhe nuk ftonin Abidin Dinon…/GD




