POSTIMET E FUNDIT

Abdixhiku paralajmëron “bashkim të madh politik” për një projekt të ri rreth LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar nisjen e një nisme të re politike që ai e ka quajtur “bashkim i madh politik e qytetar”, duke synuar mbledhjen e forcave institucionaliste dhe pro-perëndimore rreth një projekti të përbashkët.

Në një deklarim të bërë përmes rrjeteve sociale, Abdixhiku theksoi se zhvillimet aktuale politike dhe krizat e vazhdueshme kërkojnë një qasje të re dhe një bashkim më të gjerë të qytetarëve dhe faktorëve politikë që besojnë në rrugën euroatlantike të Kosovës. Sipas tij, të gjithë ata që mbështesin Republikën, institucionet dhe orientimin perëndimor të vendit kanë një shtëpi të përbashkët në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai theksoi se projekti i ri synon të tejkalojë dallimet e së kaluarës dhe interesat personale për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit.

“Do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka vlerësuar se në kohë krizash dhe sfidash të mëdha për vendin, përçarjet politike bëhen të parëndësishme përballë nevojës për stabilitet dhe zhvillim. Ai gjithashtu theksoi se Kosova ka nevojë për një rrëfim të ri politik që bashkon qytetarët, normalizon jetën politike dhe forcon institucionet e shtetit. Sipas Abdixhikut, ky rrëfim duhet ta zhvillojë vendin dhe ta ankorojë përfundimisht në botën perëndimore.

Megjithatë, Abdixhiku nuk ka dhënë ende detaje konkrete se cilët faktorë politikë apo shoqërorë do të përfshihen në këtë nismë, ndërsa pritet që në javët në vijim të bëhen të ditura hapat e parë të këtij projekti politik, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB