-1.4 C
Zurich
Tuesday, December 30, 2025
spot_img
spot_img

A ka të ardhme LDK-ja dhe si mund të ringrihet?

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Fillimisht nga mërgata, i përgëzoj qytetarët e Kosovës dhe VV-në për zgjedhjet e lira dhe demokratike. Në këto zgjedhje fitoi Kosova. Nuk humbi askush, sepse kur fiton demokracia, fiton shteti.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është thjesht një parti politike. LDK është vetë shteti i Kosovës. Ajo mban vulën historike të presidentit themeltar dhe arkitektit të shtetësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Emblema rugoviane nuk do ta humbasë kurrë peshën e saj.

Ajo është si dielli: mund ta mbulojë mjegulla përkohësisht, por nuk mund të shuhet. Me petkun politik dhe moral të Presidentit Rugova nuk mund të shkohet lehtë dhe as të abuzohet.

LDK-ja filloi të dobësohej seriozisht pas largimit të akademikut Nexhat Daci dhe shumë personaliteteve të rëndësishme të asaj kohe.

Ajo ishte një goditje e madhe për LDK-në, jo domosdoshmërisht sepse Daci dëshironte të largohej, por sepse u krijua një situatë e brendshme që e theu strukturën dhe frymën e saj themeluese.

E njëjta gjë ndodhi më vonë me zonjën Donika Gërvalla, me zonjën Vjosa Osmani dhe me shumë figura të tjera rugoviste.

Sot, rugovistët janë të shpërndarë në disa parti politike. Megjithatë, besoj fuqishëm se zemra e tyre vazhdon të rrahë për tri shkronjat e arta të asaj elite akademike dhe atdhetare që e krijoi LDK-në. Është e pamohueshme se haku i mundit të rugovistëve i ka zënë disa që sot janë brenda “kështjellës” së LDK-së – dhe kjo ndoshta është edhe pak të thuhet.

LDK-ja në këto zgjedhje mori një nokaut politik.

Por pikërisht ky nokaut duhet të shërbejë si alarm për reflektim të thellë dhe të sinqertë. Nëse LDK-ja dëshiron të shmangë përsëritjen e humbjeve në zgjedhjet e ardhshme, ajo duhet të mendojë seriozisht për rikthimin e figurave si Donika Gërvalla, Vjosa Osmani dhe shumë rugovistë të tjerë që janë larguar, por që përfaqësojnë vlerat autentike të saj. LDK është emblema e paqes, e politikës së urtë dhe e qytetarisë. Këtë trashëgimi nuk mund ta njollosë askush. Këto fjalë i them me përgjegjësi të plotë, jo si pjesë e asnjë strukture politike, por si profesionist i politikës dhe si qytetar që e njeh peshën historike të LDK-së. Ka ardhur koha që LDK-ja t’u japë hapësirë reale të rinjve, të hapë dyert për energji të reja dhe të rikthejë meritokracinë.

LDK-ja dikur ishte parti e akademikëve, e intelektualëve dhe e atdhetarëve. Ky identitet duhet të rikthehet. Pa meritokraci dhe pa respekt për dijen, LDK-ja nuk mund të ringrihet.

Themelet e LDK-së duhet të ruhen me fanatizëm, sepse ato janë vetë historia e Kosovës. Ringritja nuk ndodh brenda natës. I duhet kohë, studim i thellë i çdo gabimi, analizë e ndershme dhe guxim për ndryshim. Vetëm kështu LDK-ja mund ta gjejë sërish rrugën e saj dhe ta rikthejë besimin e qytetarëve.

LDK ka të ardhme – por vetëm nëse guxon ta mbaj fjalëkalimin Rugovist, Durim të mos e nënçmoj te kaluarën dhe ta rindërtojë veten mbi vlerat që e bënë themel të shtetit të Kosovës. LDK-ja nuk është një kapitull i mbyllur, por një histori që kërkon reflektim dhe guxim për t’u ringritur. Humbjet elektorale nuk janë fundi, por pasojë e largimit nga vlerat rugoviane, nga meritokracia dhe nga fryma akademike që e themeloi këtë parti.

Ringritja e LDK-së është e mundur vetëm përmes bashkimit të rugovistëve, hapjes ndaj brezit të ri, rikthimit të figurave që përfaqësojnë integritet dhe vizion, si dhe përmes një reformimi të thellë të brendshëm. Nëse LDK-ja e ruan trashëgiminë e Presidentit Ibrahim Rugova jo si simbol formal, por si filozofi politike, ajo do ta gjejë sërish rrugën e saj. Koha nuk punon kundër LDK-së, por kundër hezitimit për ndryshim. E ardhmja e saj varet nga gatishmëria për t’u kthyer te vetvetja. / HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme