
Nga Dashnim HEBIBI
Cyrih, 06 janar 2026 – Mërgata shqiptare ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë e mbijetesës ekonomike, sociale dhe politike të Kosovës. Në periudha të ndryshme historike – nga vitet e rënda të okupimit, luftës, rindërtimit e deri te sfidat e sotme shtetformuese – diaspora ka qenë gjithmonë pranë vendit, shpeshherë më e organizuar dhe më e vendosur sesa vetë institucionet brenda vendit.
Megjithatë, përkundër kontributit të jashtëzakonshëm financiar, politik dhe humanitar, diaspora vazhdon të mbetet e nën-përfaqësuar dhe e paorganizuar në mënyrë institucionale. Ajo shihet kryesisht si burim remitencash dhe jo si faktor vendimmarrës. Kjo qasje jo vetëm që është e padrejtë, por edhe dëmton potencialin real që diaspora ka për zhvillimin e vendit. Sot, kur numri i mërgimtarëve në Evropë, Amerikë dhe gjetkë në botë është jashtëzakonisht i madh, shtrohet pyetja me të drejtë: a ka ardhur koha që diaspora të organizohet vetë dhe të kërkojë vendin që i takon?
Organizimi nuk nënkupton vetëm shoqata kulturore apo humanitare, por një përfaqësim serioz politik dhe institucional, me zë të qartë dhe ndikim konkret. Do të ishte më se e nevojshme që Kosova të ketë një Ministri funksionale të Diasporës, jo formale, por me kompetenca reale, si dhe deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga diaspora në Kuvendin e Kosovës. Kjo do të krijonte një urë të qëndrueshme mes mërgatës dhe institucioneve shtetërore, duke garantuar që interesat e diasporës të dëgjohen dhe të mbrohen. Për më tepër, diaspora ka kapital njerëzor të jashtëzakonshëm: profesionistë të fushave të ndryshme, biznesmenë, akademikë dhe aktivistë me përvojë perëndimore, të cilët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në reforma, zhvillim ekonomik dhe integrime ndërkombëtare.
Pa një organizim të mirëfilltë, ky potencial vazhdon të shpërdorohet. Koha kërkon vetëdije, unitet dhe veprim. Diaspora nuk duhet të presë gjithmonë ftesë nga politika e brendshme, por të marrë iniciativën, të organizohet dhe të kërkojë me dinjitet të drejtën e saj për përfaqësim. Sepse diaspora nuk është mysafire e përkohshme e Kosovës – ajo është pjesë e pandashme e saj. Respekte për të gjithë bashkatdhetarët, kudo që ndodhen. Zëri i diasporës duhet të dëgjohet, sot më shumë se kurrë. /helveticALforum.ch




