Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me projektin e investitorit amerikan Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të Sazanit, duke mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje për shitjen apo dhënien e ishullit në pronësi të investitorit.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Dublin, në prag të samitit, Rama bëri të ditur se negociatat për këtë projekt vijojnë prej tre vitesh, ndërsa theksoi se synimi i qeverisë shqiptare është që shteti të përfshihet si aksioner në investim.
“Sazani nuk është shitur. Ishulli është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë. Ne po kërkojmë që shteti të jetë aksioner në këtë investim. Kjo është e vërteta, por nuk ka shumë hapësirë sot për të vërtetën në mediat globale apo lokale”, deklaroi Rama.
Projekti për zhvillimin e ishullit të Sazanit, i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, ka nxitur reagime dhe protesta në Shqipëri që nga fillimi i qershorit. Kundërshtimet janë përqendruar te ndikimi i mundshëm i projektit në mjedis, natyrën dhe statusin e një prej zonave më të veçanta të bregdetit shqiptar.
Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, duke argumentuar se mandati i marrë nga qytetarët në zgjedhjet e vitit të kaluar i jep legjitimitetin për të vazhduar drejtimin e vendit dhe procesin e integrimit evropian.
“Kjo nuk është diçka që e vendosni ju për shqiptarët dhe ata më kanë dhënë një mandat të fortë për të drejtuar vendin drejt BE-së. Kjo ka ndodhur vetëm vitin e kaluar dhe jo 10 vite më parë”, u shpreh Rama.
Në vijim, kryeministri foli edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e një Evrope më të bashkuar dhe më të fuqishme. Sipas tij, përgjegjësia për këtë proces u takon drejtuesve evropianë, të cilët duhet të tregojnë aftësi dhe vullnet politik për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve.
Rama vlerësoi gjithashtu angazhimin e Irlandës për një Evropë më të bashkuar, duke nënvizuar se Shqipëria, si një vend i vogël, e njeh rolin dhe pozicionin e saj në këtë proces. Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur projekti i Sazanit mbetet në qendër të debatit publik, ndërsa çështjet e pronësisë, transparencës, përfitimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga kundërshtarët e tij, transmeton rtsh.










