Nga Ettore Bonanno
Mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit, tre bashki kryesore dhe një pjesëmarrje e gjerë e publikut. Në Karfici (Carfizzi), Shën Kolli (San Nicola dell’Alto) dhe Puheriu (Pallagorio), edicioni i dytë i festivalit të promovuar nga Fili Meridiani APS bëri bashkë komunitete, institucione, sipërmarrje dhe të rinj. Ettore Bonanno sjell përsëri sfidën e një ekosistemi të Arbërisë midis bashkëpunimit ndërkombëtar dhe teknologjive të reja. Tri ditë takimesh, përvojash kulturore, muzike dhe traditash, me mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit. Edicioni i dytë i Arbëria Digital Fest, i cili nga data 23 deri më 25 tetor 2026 përfshiu Karficin, Shën Kollin dhe Puheriun në një projekt të përbashkët për vlerësimin e identitetit arbëresh, u përmbyll me një pjesëmarrje të madhe. I promovuar nga Fili Meridiani APS, festivali bëri bashkë përfaqësues institucionalë, studiues, sipërmarrës, artistë, shoqata dhe të rinj nga Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Belgjika. Një takim që gërshetoi mbrojtjen e gjuhës dhe të traditave me turizmin e përvojës, inovacionin digjital, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e zonave të brendshme.
Të trashëgosh, Të tërheqësh, Të gjenerosh: tri fjalë që shoqëruan aktivitetin, duke shpalosur një vizion të Arbërisë jo vetëm si një trashëgimi për t’u ruajtur, por si një komunitet i aftë për të ndërtuar marrëdhënie dhe mundësi të reja. Karfici, një urë lidhëse midis Arbërisë, Shqipërisë dhe diasporës Dita e parë, e premte 23 tetor, u zhvillua në Karfici, me një debat kushtuar marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe, Ballkanit dhe diasporës shqiptare. Punimet u hapën dhe u moderuan nga Ursula Basta. Pas himneve kombëtare italian dhe shqiptar si dhe notave të këngës “Lule Lule”, presidenti i Fili Meridiani, Ettore Bonanno, mirëpriti të ftuarit. Shfaqja e dokumentarit “COHA — Visioni d’Oriente in Arbëria” (‘COHA — Vizione të Lindjes në Arbëri’) prezantoi temat e identitetit, kujtesës dhe lidhjeve kulturore midis botës ballkanike. Kryetari i bashkisë Mario Amato rikujtoi rëndësinë e bashkëpunimit midis bashkive arbëreshe, ndërsa Anna Madeo, Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Kalabri, ilustroi perspektivat dhe projektet e bashkëpunimit.
Në qendër të diskutimit ishin edhe brezat e rinj të diasporës, me Lirim Krasniqin, i cili prezantoi “OriginAL”, projektin që u mundëson të rinjve me origjinë shqiptare të rizbulojnë territoret e familjeve të tyre. Gjovani Cinari, nga Albanian Business Network, tregoi vlerën e rrjeteve midis profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë.
Zamira Gjeleshi, mësuese në Gjimnazin “Fiqiri Dine” të Maqellarës, solli një dëshmi domethënëse duke nënvizuar rolin e arsimit në ndërtimin e lidhjeve midis brezave të rinj. Nga gjimnazi shqiptar erdhi edhe një dhuratë simbolike për Fili Meridiani: një yll i emërtuar “Arbëria”. Një hapësirë e veçantë iu dedikua sektorit audioviziv si instrument për vlerësimin e pakicave gjuhësore, me Emanuele Galloni-n (i lidhur me projektin “Matriçë Arbëreshe”), si dhe temës së mikpritjes me Francesco Vizza-n, presidenti i Kooperativës Agape. Mbrëmja riktheu pamjen e traditës së Karficit, me serenatën karficiote, Këngëtarët Arbëreshë të Karficit dhe zërin e mësueses Mariannina Leonetti. Nuk mungoi as përshëndetja e shkrimtarit Carmine Abate, në kuadër të Parkut Letrar kushtuar atij.
Për të plotësuar përvojën, u zhvillua një degustim i xhinit arbëresh Asturi dhe i verërave arbëreshe të “Tenuta Renda”, shembuj të vlerësimit të produkteve identitare dhe të promovimit territorial. Shën Kolli, traditat shndërrohen në mundësi Të shtunën, 24 tetor, festivali vijoi në Shën Kolli, me panelin e diskutimit “Territoret që tërheqin”, kushtuar perspektivave të zonave të brendshme përmes turizmit, produkteve lokale dhe sipërmarrjes. Për të mirëpritur të ftuarit ishte grupi folklorik “Oreste Ventrice”, i vlerësuar për 70-vjetorin e aktivitetit të tij, dëshmi e një rrugëtimi të gjatë në mbrojtjen e traditave arbëreshe. Diskutimi, i moderuar nga Fabio Spadafora, u hap me ndërhyrjen në gjuhën arbëreshe të nënkryetares së bashkisë Tiziana Basta, e cila nënvizoi vlerën e gjuhës si element themelor të identitetit kulturor. Angelo Astorino, president i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Crotone, thelloi rolin e ndërmarrjes në zhvillimin e territoreve. Pasuan përvojat e Franca Ruggiero-s dhe Pina Valente-s, protagoniste të rrëfimit të “Gjyshet e Arbërisë” dhe produkteve artizanale të Salumificio San Cristoforo; Gennaro De Fazio, krijues i Gin Asturi, i prezantuar si xhini i parë arbëresh; dhe Diletta Iocca, e angazhuar në vlerësimin e vajit dhe të produkteve lokale.
Turizmi i përvojës ishte në qendër të ndërhyrjeve të Salvatore Franco-s, udhërrëfyes mjedisor i Parkut të Pollino-s, dhe Pajtim Vranicit nga agjencia “Dibra Explorer”. Christian Zuin nga Protur Media dhe Francesco Biacca nga “Festival dell’Ospitalità” plotësuan diskutimin mbi format e reja të rrëfimit dhe mikpritjes turistike. Mëngjesi vijoi me një bufe të ofruar nga administrata lokale dhe një vizitë të udhëzuar në “Museo della Civiltà Contadina” në qendrën historike dhe në “La Pizzuta”, pika panoramike e katundit. Puheriu, një festë e madhe midis kulturës, gastronomisë dhe muzikës Pasditen e së shtunës, festivali u zhvendos në Puheri, duke përfshirë një publik të shumtë në një program historie, arti, gastronomie dhe muzike. Nga vizita te kambanat arbëreshe, e organizuar nga Pro Loco “Ofelia Giudicissi”, deri te “Arbëria Experience”, e udhëhequr nga Alessandro Frontera së bashku me Mystery Hunters, publiku mundi të thellohej në trashëgiminë historike dhe në traditën fetare bizantine të kulturës arbëreshe.
Rrugëtimi u pasurua me ndërhyrjet muzikore të grupit “Tarant Bau” nga Pllatëni (Plataci), rizbulimin e kukullave tradicionale “Pupugheji” me Carmela Fazio-n, si dhe me prezantimin e muraleve dhe të xhevahirëve të arit nga “Ori Arbëresh La Pietra”. Me ardhjen e mbrëmjes, Rruga Carmine, e veshur kuqezi, u shndërrua në një festë të madhe popullore. Festa e mishit “podolica”, me specialitetet e Mishtores Scigliano e ëmbëlsirat e pastiçerisë “The Best Moment”, vlerësoi ekselencat gastronomike lokale. Në skenë ishin rapsodi arbëresh Marco Moccia, grupi “Ajri i Lumit” (grup kërkimor muzikor nga Shën Mërtiri — San Martino di Finita) dhe Tarant Bau, të cilët përfshinë publikun mes muzikës dhe valleve. Një sukses të madh pati “Dromësat Challenge”, kushtuar përgatitjes live të dromësave (pasta e bekuar arbëreshe), me protagoniste Rosina Marra-n, Raffaella Bossio-n, Stefania Demasi-n, si dhe me praninë e Alessia Sisca-s, presidente e Slow Food Crotone. Mbrëmja, e prezantuar nga Carmelina Mele, u përmbyll me “Arbëria Remix”, një DJ set nga Giovanni Salerno Deejay. Gjatë ditës, “MUZÉ – Spazio Arbëria” mirëpriti vizitorë të shumtë. Domethënëse ishte edhe prania e kryetarit të Bashkisë së Dibrës së Madhe, Fisnik Mela, i cili erdhi nga Maqedonia e Veriut me një delegacion bashkiak.
Arbëria Next, të rinjtë imagjinojnë të ardhmen Të dielën, 25 tetor, dita përmbyllëse u hap në Puheriu me “Arbëria Next”, një punëtori që përfshiu të rinjtë arbëreshë në ndërtimin e ideve dhe propozimeve për të imagjinuar të ardhmen e komuniteteve në dhjetë vitet e ardhshme. Diskutimi vijoi me Prof. Francesco Altimari-n nga Universiteti i Kalabrisë dhe Nicola Bavasso-n, gazetar dhe prezantues i RAI Calabria Arbëreshe, mbi marrëdhënien midis gjuhës, kujtesës dhe formave të reja të komunikimit. Ndërhynë gjithashtu Noè Andreano, kryetar i bashkisë së Kazallveqit (Casalvecchio di Puglia), Filippo Quinto Tocci, kryetar i bashkisë së Shën Vasilit (San Basile), dhe Franco Amendola, drejtor i Bandës Muzikore të Distriktit Arbëresh, duke sjellë dëshmi mbi vlerën e marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe italiane. Dreka komunitare përfaqësoi një moment tjetër takimi midis të ftuarve, shoqatave dhe qytetarëve. Open Arbëria, arti i rrugës (street art) rrëfen katundet Pasdite u përurua “OPEN ARBËRIA — Street Art Arbëreshe”, projekti që shndërroi disa porta të qendrës historike të Puheriut në vepra kushtuar kujtesës dhe simboleve identitare.
Protagonistë ishin artistët Michele Giudicissi, Carmelina Mele, Giuseppe Caruso dhe Luigi Perna, së bashku me fëmijët e punëtorisë krijuese të Fili Meridiani. Inaugurimi u shoqërua nga këngët e grupit “Ajri i Lumit”, të cilët interpretuan “Kostantini i Vogëlith”, një nga rrëfimet më të rëndësishme të traditës arbëreshe.
Ndërmarrjet, mediat dhe diaspora: perspektivat e Arbërisë Paneli përmbyllës i diskutimit kushtuar “Arbërisë e së nesërmes” bëri bashkë përfaqësues nga bota e sipërmarrjes, institucioneve dhe kulturës. Ndërhynë Giorgio Franzese, nga Italbacolor dhe kryetar i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Cosenza, Massimo Fedele, drejtor i selisë së RAI-t në Kozencë, dhe Umberto Lorecchio, kryetar i bashkisë së Puheriut. Në qendër të debatit ishte roli i ndërmarrjeve, mediave dhe institucioneve në ndërtimin e mundësive të reja për territoret. I rëndësishëm ishte edhe kontributi i shoqatave “ALEA” nga Franca dhe “VLERA” nga Belgjika, të cilat sollën përvojën e diasporës arbëreshe evropiane. Gjatë takimit, Carmela Fazio u nderua me një mirënjohje për angazhimin e saj në ruajtjen dhe transmetimin e traditave popullore. Ettore Bonanno: Të ndërtojmë një ekosistem të Arbërisë mes kulturës, rrjetit dhe inteligjencës artificiale.
Perspektivat e ardhshme të festivalit i shpalosi Ettore Bonanno, presidenti i Fili Meridiani APS, i cili përtëriti vizionin e një Arbërie gjithnjë e më të lidhur, të aftë për të ndërtuar një ekosistem kulturor, social dhe ekonomik. Qëllimi është krijimi i rrjeteve të qëndrueshme midis komuniteteve arbëreshe, ndërmarrjeve, shoqatave, institucioneve dhe brezave të rinj, duke forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën ndërkombëtare. Një perspektivë që sheh me vendosmëri drejt inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, të konsideruara si mjete për të mbrojtur gjuhën arbëreshe, për të digjitalizuar trashëgiminë kulturore, për të sjellë inovacion në promovimin e territoreve dhe për të gjeneruar mundësi të reja. Për Fili Meridiani, e ardhmja e Arbërisë kalon nga aftësia për të kapërcyer fragmentimin e nismave individuale dhe për të ndërtuar një sistem të përbashkët kompetencash, projektesh dhe marrëdhëniesh: jo vetëm për të ruajtur të kaluarën, por për të shndërruar rrënjët në një burim për të ardhmen.
Muzikë dhe tradita në mbrëmjen përmbyllëse Mes tingujve bashkëkohorë dhe identitetit arbëresh, koncerti i Enzo Iovine dhe Pietro Curci përmbylli edicionin e dytë të “Arbëria Digital Fest”. Ky moment u shoqërua me përgatitjen e kulumollave tradicionalë (culumolli) nga gratë e Puheriut, në një moment të fundit bashkëndarjeje dhe miqësie. Një angazhim i përbashkët për të ardhmen e Arbërisë Një falënderim i veçantë i shkon Fondacionit Carical dhe presidentit të tij Giovanni Pensabene, për mbështetjen e dhënë për edicionin e dytë të Arbëria Digital Fest. Edicioni i dytë i festivalit doli me sukses falë angazhimit të përbashkët të tri bashkive: Karficit, Shën Kollit dhe Puheriut, të drejtuara nga Mario Amato, Luigi Rizzuti dhe Umberto Lorecchio.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për Institutin Gjithëpërfshirës “Verzino-Melissa”, Drejtorinë shkollore dhe personelin, për disponueshmërinë dhe bashkëpunimin e çmuar në organizimin e aktiviteteve të festivalit. Fili Meridiani APS falënderon përzemërsisht të gjithë ata që mbështetën dhe kontribuuan në mbarëvajtjen e festivalit: sponsorët, partnerët, sipërmarrjet, vullnetarët, entet, relatorët dhe artistët, së bashku me të gjithë komunitetin që mori pjesë me kaq entuziazëm në këto tri ditë. Një falënderim i veçantë i shkon grupit të punës të Fili Meridiani, i cili me angazhim, pasion dhe përkushtim bëri të mundur realizimin e një aktiviteti të aftë për të bashkuar territore, njerëz dhe projekte. Në mënyrë të veçantë, mirënjohja shkon për: Ettore Bonanno, Fabio Spadafora, Rosina Marra, Salvatore Bonanno, Rosa Bonanno, Francesca Liuzzo, Donato Iocca, Raffaella Bossio, Rosanna Panebianco, Stefania Demasi, Maria Luisa Greco, Diletta Iocca, Anastasia Amato, Donato Setola, Federica De Bastiani, Ursula Basta, Alessandro Frontera, Filomena Rizzo, Lucia Brunetti, si dhe për të gjithë ata që, edhe pse nga larg, dhanë mbështetjen e tyre për mbarëvajtjen e festivalit. Tri ditë, tri katunde, mbi njëqind të ftuar dhe një vizion i vetëm: një Arbëri e aftë për t’u ndërlidhur, për të vlerësuar rrënjët e veta dhe për t’u përballur me sfidat e inovacionit./GD










