BallinaAtdheuRizvanolli fton investitorët gjermanë të investojnë në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë

Rizvanolli fton investitorët gjermanë të investojnë në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë

-

Në Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, ministrja e Ekonomisë theksoi potencialin për investime në energji, zhvillimin e projekteve të reja dhe forcimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë nën moton “Driving the Next Economy”. Forumi, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), ka për qëllim promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës, tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e lidhjeve tregtare me Gjermaninë dhe tregjet evropiane. Gjatë fjalës së saj, Rizvanolli theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus të veçantë në sektorin e energjisë, të cilin e cilësoi si një nga fushat me mundësi të konsiderueshme për investime dhe zhvillim të mëtejshëm. Sipas ministres, Gjermania ka qenë një partnere e rëndësishme e Kosovës që nga periudha e luftës për liri dhe pavarësi, duke kontribuar në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendit. Ajo shprehu pritshmërinë që kjo marrëdhënie e qëndrueshme të reflektohet edhe në rritjen e investimeve gjermane dhe në krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.

Energjia e ripërtëritshme, mundësi për investime të reja

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua potencialit të sektorit të energjisë në Kosovë, veçanërisht zhvillimit të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe sistemeve për ruajtjen e energjisë. Ministrja Rizvanolli theksoi se investitorët privatë kanë mundësi të marrin pjesë në projekte përmes ankandeve konkurruese, ndërsa nevoja për kapacitete të reja të ruajtjes së energjisë paraqet një tjetër fushë me interes për bashkëpunim. Ajo nënvizoi se mundësitë nuk kufizohen vetëm në financimin e projekteve, por përfshijnë edhe ndërtimin, furnizimin me pajisje, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike. Në këtë drejtim, ministrja u bëri thirrje bizneseve dhe investitorëve gjermanë që të përgatiten për ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme, të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me kompanitë vendore dhe të investojnë në sisteme moderne të ngrohjes me efiçiencë të energjisë.

Synimi, projekte konkrete dhe zhvillim ekonomik

Sipas Rizvanollit, objektivi është që partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë të shndërrohet në projekte konkrete, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit. Forumi mbledh përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë, biznese, investitorë dhe ekspertë, të cilët po diskutojnë për mundësitë e reja të bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të qëndrueshme ekonomike. Përmes këtij aktiviteti synohet të rritet interesimi i investitorëve gjermanë për tregun kosovar dhe të identifikohen sektorët ku bashkëpunimi mund të sjellë përfitime për të dyja ekonomitë.Forumi i tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, ndërsa sektori i energjisë dhe investimet në teknologjitë e pastra mbeten ndër fushat me potencial të rëndësishëm për bashkëpunim në të ardhmen, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” MIRATON PLANIN STRATEGJIK 2027–2030

0
Këshilli Drejtues i Universitetit “Haxhi Zeka”, në mbledhjen e mbajtur më 28.10.2026, ka miratuar Planin Strategjik për periudhën 2027–2030, dokumentin themelor që përcakton vizionin,...