Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të gatshme të nisin operacione të reja ushtarake kundër Iranit, të cilat mund të jenë në shkallë të gjerë. Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN, ushtria amerikane ka kapacitetet e nevojshme në rajon dhe mund të nisë sulmet brenda 96 orëve nga marrja e urdhrit të presidentit Donald Trump. Sipas burimeve, planet ushtarake të Pentagonit nuk kufizohen vetëm në goditjen e radarëve, sistemeve të raketave dhe objektivave të tjera ushtarake iraniane, por mund të përfshijnë edhe infrastrukturën energjetike dhe objektet bërthamore të vendit. Një nga zyrtarët amerikanë e përshkroi operacionin e mundshëm si “një përpjekje të madhe”, duke sinjalizuar se objektivi mund të shkojë përtej ruajtjes së status quo-së dhe kufizimit të kapaciteteve ushtarake të Teheranit.
Trump ende pa një vendim përfundimtar
Pavarësisht përgatitjeve ushtarake, presidenti Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për nisjen e operacioneve të reja. Sipas burimeve të CNN, një pjesë e zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë besojnë se një vendim i tillë mund të merret para fundit të vitit, me mundësi më të mëdha që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.
Megjithatë, burimet paralajmërojnë se qëndrimi i Trumpit mund të ndryshojë edhe në momentet e fundit, pasi në të kaluarën ai ka shfaqur gatishmëri për veprime ushtarake, por më pas është tërhequr.
Një zyrtar i lartë i Pentagonit deklaroi se detyra e institucionit është të hartojë dhe të zbatojë opsionet ushtarake që urdhërohen nga presidenti.
Rritet shqetësimi për hakmarrjen e Iranit
Një nga shqetësimet kryesore të administratës amerikane është reagimi që mund të pasojë një sulm të ri ndaj Iranit. Sipas vlerësimeve të fundit të inteligjencës amerikane, Teherani dhe rebelët Huthi po e marrin seriozisht mundësinë e operacioneve të reja nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Burimet e cituara nga CNN vlerësojnë se, në rast të një sulmi, Irani dhe Huthitët mund të kundërpërgjigjen duke shënjestruar personelin dhe objektet amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe objektiva të tjera në rajon.
Një memorandum i paklasifikuar i datës 23 tetor, i drejtuar nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, te sekretari i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se evidenton një rritje të ndjeshme të përpjekjeve iraniane për të shënjestruar personelin amerikan. Sipas raportimit, disa prej këtyre përpjekjeve kanë arritur në faza të avancuara në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera.
Për momentin, inteligjenca amerikane nuk vlerëson se Irani dhe Huthitët kanë gjasa të nisin sulme parandaluese, por paralajmëron se reagimi i tyre mund të jetë i menjëhershëm nëse Teherani goditet i pari.
Në këtë klimë tensioni, SHBA-ja pritet të reduktojë praninë e personelit në disa ambasada në rajon. Gjithashtu, personeli ushtarak jo thelbësor që pritej të dërgohej në Lindjen e Mesme si pjesë e rotacionit të ardhshëm thuhet se është njoftuar se dislokimi nuk do të kryhet.
Ngushtica e Hormuzit, një tjetër pikë e nxehtë
Situata mbetet e tensionuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, vizitoi zonën të dielën, ndërsa forcat amerikane vijojnë bllokadën e porteve iraniane dhe operacionet për garantimin e lundrimit detar.
Sipas CENTCOM-it, Cooper vëzhgoi situatën operacionale nga ajri dhe u takua me ushtarakët e përfshirë në pastrimin e rrugës detare nga minat iraniane.
Pavarësisht rritjes së numrit të cisternave që kalojnë nëpër ngushticë, çmimet e naftës mbeten të larta për shkak të pasigurisë dhe rrezikut të sulmeve të mundshme. Sipas një zyrtari amerikan, situata aktuale nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe, në mungesë të një përparimi diplomatik, kjo mund të shtyjë administratën Trump drejt veprimeve ushtarake.
Netanyahu kërkon sulme të reja, por Uashingtoni kërkon të presë
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se ka ushtruar presion për nisjen e sulmeve të reja kundër Iranit, duke kërkuar mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një burimi izraelit të sigurisë të cituar nga CNN, Netanyahu ka tentuar të bindë Trumpin për një operacion të përbashkët përpara zgjedhjeve, por presidenti amerikan nuk ka dhënë miratimin.
Zyra e kryeministrit izraelit i ka cilësuar këto raportime si “lajm të rremë”.
Sipas burimeve, një prej faktorëve që mund të ketë ndikuar në shtyrjen e sulmeve është shqetësimi se një operacion ushtarak mund të ndikojë në zhvillimet politike në Izrael dhe të shkaktojë pasoja më të gjera në rajon.
Raportime të mediave izraelite kanë folur gjithashtu për mosmarrëveshje mes Netanyahut dhe shefit të shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, lidhur me planet për Iranin. Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
Burimet e CNN bëjnë të ditur se Izraeli po përgatitet për mundësinë e operacioneve të përbashkëta me SHBA-në, potencialisht pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në Amerikë. Një faktor tjetër është nevoja e Izraelit për mbështetje amerikane në mbrojtjen kundër raketave, pasi rezervat e municioneve mbrojtëse janë vënë nën presion gjatë konfliktit.
Objektivi strategjik ndaj Iranit mbetet i paqartë
Pavarësisht përgatitjeve dhe diskutimeve për një ofensivë të re, sipas burimeve të inteligjencës amerikane, mbetet e paqartë se cili do të jetë objektivi përfundimtar i një operacioni të mundshëm.
Vlerësimet e cituara nga CNN sugjerojnë se udhëheqjes izraelite ende i mungon një strategji e qartë përtej dobësimit të mëtejshëm të regjimit iranian.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka deklaruar publikisht se udhëzimi i tij për ushtrinë izraelite, shërbimin e inteligjencës Mossad dhe strukturat e tjera të sigurisë është rrëzimi i regjimit në Iran.
Për momentin, vendimi përfundimtar mbetet në duart e Donald Trump. Ushtria amerikane thuhet se i ka gati planet dhe kapacitetet për një ofensivë të re, por një sulm i mundshëm rrezikon të shkaktojë një përshkallëzim të gjerë rajonal, me pasoja për sigurinë e personelit amerikan, stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe tregjet globale të energjisë.










