Prishtinë – Presidentja Shiroka Pula ka shprehur tronditjen e saj për vrasjen e një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar nga organet kompetente hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit. Në reagimin e saj, Pula ka theksuar se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por duhet të përfshijë edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ligjore ta mbronin atë. Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë së viktimës. Presidentja ka nënvizuar se çdo sinjal për rrezik, kërkesë për ndihmë apo ankesë për mosveprim institucional duhet të merret me seriozitet maksimal. Sipas saj, mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve përbën detyrim të panegociueshëm për institucionet e shtetit. Pula u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e rastit dhe të përcaktohen përgjegjësitë eventuale.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit”, ka theksuar ajo, duke shtuar se çdo dyshim për dështim institucional në përmbushjen e detyrimit për mbrojtjen e grave duhet të marrë një përgjigje të qartë. Në fund të reagimit, presidentja ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës dhe të gjithë të afërmit e saj. Ajo ka ritheksuar se mbrojtja e jetës së grave është përgjegjësi themelore e institucioneve dhe se nuk mund të ketë kompromis kur jeta dhe siguria e tyre vihen në rrezik, transmeton rtk.










