Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hapur konkurrimin për dhënien në përdorim të 700 metrave katrorë ambiente shërbimi në katër kala historike. Investimet do të financohen nga operatorët fitues, ndërsa ofertat do të pranohen deri më 12 nëntor 2026.
Katër kala historike në Shqipëri pritet të përfshihen në projekte të reja rijetësimi, përmes dhënies në përdorim të ambienteve të shërbimit për operatorë privatë. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hapur procedurat e konkurrimit për një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë në kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës, me kontrata që parashikohen të zgjasin deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi.
Procedurat janë publikuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të datës 19 tetor 2026 dhe synojnë të nxisin investimet private në hapësira brenda monumenteve të kulturës të kategorisë së parë. Sipas kushteve të konkurrimit, financimi i projekteve dhe administrimi i ambienteve do të jenë përgjegjësi e operatorëve që do të shpallen fitues.
Kanina kryeson me 300 metra katrorë
Sipërfaqja më e madhe e përfshirë në konkurrim ndodhet në Kalanë e Kaninës, në Vlorë, ku ofrohen 300 metra katrorë ambiente shërbimi.
Në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, është përcaktuar një hapësirë prej 200 metrash katrorë në oborrin e tretë. Ndërkohë, në kalatë e Prezës dhe Petrelës, në zonën e Tiranës, do të jepen në përdorim nga 100 metra katrorë për secilën pasuri.
Në total, katër procedurat përfshijnë 700 metra katrorë hapësira, të cilat synohet të marrin funksione të reja shërbimi, duke ruajtur karakterin historik dhe kulturor të monumenteve.
Ministria sqaron se objekti i konkurrimit është dhënia në përdorim e ambienteve të përcaktuara dhe jo e kalave në tërësinë e tyre. Për rrjedhojë, çdo ndërhyrje dhe veprimtari duhet të jetë në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe me kërkesat për mbrojtjen e monumenteve.
Kontrata afatgjata dhe investime nga sektori privat
Një nga elementet kryesore të procedurave është kohëzgjatja e kontratave, të cilat parashikohen deri në 20 vjet, me mundësi rinovimi. Ky afat synon t’u japë operatorëve një horizont më të gjatë për realizimin e investimeve dhe zhvillimin e veprimtarive të propozuara.
Për të marrë pjesë në konkurrim, subjektet duhet të dëshmojnë kapacitete të mjaftueshme financiare, teknike dhe profesionale, si për realizimin e projekteve, ashtu edhe për administrimin e pasurive kulturore.
Kriteret parashikojnë një garanci financiare për miradministrimin e pronës, në vlerë jo më të ulët se 10% e investimit të propozuar. Gjithashtu, xhiroja mesatare vjetore e operatorit gjatë tre viteve të fundit duhet të jetë të paktën sa 50% e vlerës së investimit të parashikuar.
Përveç investimit fillestar, operatorët do të duhet të sigurojnë edhe burime financiare vjetore për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pasurive kulturore. Në rastet kur në këto hapësira gjenden vlera ose gjurmë arkeologjike, kërkohet gjithashtu mbështetje financiare për studimet përkatëse.
Vlerësimi, me fokus te ruajtja e trashëgimisë
Përzgjedhja e ofertave nuk do të mbështetet vetëm te niveli i investimit, por edhe te cilësia e projekteve dhe aftësia e tyre për të ruajtur vlerat historike të monumenteve.
Sipas kritereve të përcaktuara, planet për ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse, niveli i investimit dhe cilësia e projektit të rijetësimit vlerësohen secili me nga 20 pikë, nga 100 pikë gjithsej.
Pjesa tjetër e vlerësimit lidhet me përputhshmërinë e veprimtarisë së propozuar me funksionin dhe vlerat kulturore të monumentit, promovimin e trashëgimisë, garantimin e aksesit publik dhe cilësinë e shërbimeve që do t’u ofrohen vizitorëve.
Këto kërkesa synojnë të sigurojnë që përdorimi ekonomik i hapësirave të mos cenojë karakterin historik të kalave dhe të kontribuojë në mirëmbajtjen e tyre afatgjatë.
Afati i fundit, 12 nëntori
Subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat deri më 12 nëntor 2026, në orën 10:00.
Procedurat përfaqësojnë një tjetër përpjekje për përfshirjen e sektorit privat në rijetësimin e monumenteve të kulturës, përmes krijimit të ambienteve të shërbimit dhe investimeve në administrimin e tyre. Mbetet për t’u parë se cilët operatorë do të paraqesin oferta dhe çfarë projektesh do të propozohen për katër kalatë, ku sfida kryesore do të jetë ndërthurja e zhvillimit të shërbimeve me ruajtjen e trashëgimisë historike dhe garantimin e aksesit për publikun./Monitor, transmeton BW










