BallinaAtdheuPediatrja Rajda Petrela ngre alarmin për përdorimin e celularëve te fëmijët: “Ne...

Pediatrja Rajda Petrela ngre alarmin për përdorimin e celularëve te fëmijët: “Ne i kemi mësuar me këtë zakon”

-

Përdorimi i tepërt i celularëve po kthehet në një shqetësim për shëndetin dhe edukimin e fëmijëve. Pediatrja në QSUT, Rajda Petrela, paralajmëron se përdorimi i ekraneve gjatë ushqyerjes dhe mësimit mund të ndikojë në përqendrim, sjellje dhe rutinën e përditshme, ndërsa u bën thirrje prindërve të vendosin kufij të qartë. Ajo këshillon gjithashtu kujdes për higjienën orale, gjumin dhe ushqyerjen e shëndetshme.

Përdorimi i celularëve nga fëmijët, edhe në mosha shumë të vogla, mbetet një nga shqetësimet që po përballin prindërit në përditshmëri. Varësia nga ekranet gjatë ushqyerjes, vështirësitë në përqendrim dhe ndryshimet në sjellje janë disa prej problemeve që kërkojnë më shumë vëmendje nga familja.

Për këtë çështje ka folur mjekja pediatre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), Rajda Petrela, e ftuar në emisionin “Shëndet Paç” në A2 CNN, me moderatore Ornela Jotin.

Sipas pediatres, një pjesë e prindërve ankohen se fëmijët refuzojnë të hanë nëse nuk kanë celularin përpara. Ajo thekson se kjo sjellje mund të krijohet si zakon që në moshë të hershme, nëse pajisjet elektronike përdoren vazhdimisht për të tërhequr vëmendjen e fëmijëve.

“Vijnë prindërit edhe thonë që nuk më ha pa celular, ose nuk më nuk fut gjë në gojë pa celular. 40 vjet punë në QSUT më kujtohen ato kohëra që kishte celular dhe nuk kishin këto ankesa të këtij lloji. Po kjo gjë mësohet. Kur ti e mëson fëmijën, se po mos ta mësosh, mendoj unë nuk ka mundësi që fëmija të thotë unë nuk ha pa celular”, është shprehur Petrela.

Ushqyerja para ekranit ndikon në përqendrimin e fëmijëve

Pediatrja ka theksuar se përdorimi i celularit ose televizorit gjatë vakteve mund ta shpërqendrojë fëmijën nga ushqimi dhe të pengojë krijimin e një rutine të shëndetshme të të ngrënit.

Sipas saj, është e rëndësishme që fëmijët të mësohen të dallojnë kohën e ushqyerjes nga koha e lojës, mësimit dhe gjumit.

“Në qoftë se ti do t’i vësh përpara ushqimin, në një anë do ketë celularin, në një anë do ketë televizorin, atëherë jo vetëm që nuk shijohet, por nuk arrihet të merret vakti si duhet, sepse ajo nuk lejon që fëmija të përqëndrohet pikërisht në atë vakt që ti i ke vënë përpara”, ka deklaruar ajo.

Petrela ka vënë në dukje se rutina e përditshme është e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve dhe se prindërit duhet të krijojnë orare të përcaktuara për aktivitetet kryesore.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se përdorimi i tepërt i ekraneve mund të shoqërohet me nervozizëm, shpërqendrim dhe vështirësi në komunikimin e përditshëm, duke theksuar rëndësinë e pushimit dhe të shmangies së lodhjes mendore.

“Ne i kemi mësuar me celular”

E pyetur për mënyrat e parandalimit të këtij problemi, mjekja ka theksuar se përgjegjësia kryesore për krijimin e zakoneve të shëndetshme bie mbi prindërit.

Ajo ka vënë në dukje se fëmijët e vegjël ekspozohen ndaj telefonave që në vitet e para të jetës dhe se, në disa raste, pajisjet përdoren si mënyrë për t’i mbajtur të qetë ose për t’ua tërhequr vëmendjen.

“Po e po që është shumë i rëndësishëm, sepse ne si t’i mësojmë kalamajtë ashtu edhe do edukohen. Unë mendoj që jemi ne që i kemi mësuar me celular dhe duhet patjetër ta heqim këtë zakon të mbajtjes së celularit, sepse ti sheh fëmijë pa bërë një vjeç e gjysmë pa bërë dy vjeç që rrinë gjithë ditën me celular në dorë”, ka thënë Petrela.

Sipas saj, përdorimi i herëpashershëm i pajisjeve elektronike nuk duhet të shndërrohet në një zakon të vazhdueshëm, pasi fëmijët kanë nevojë për kohë të mjaftueshme për lojë, komunikim dhe aktivitete të tjera që mbështesin zhvillimin e tyre.

Higjiena e dhëmbëve, një tjetër shqetësim për shëndetin e fëmijëve

Përveç përdorimit të celularëve, pediatrja ka folur edhe për rëndësinë e higjienës personale dhe veçanërisht të kujdesit për dhëmbët.

Ajo ka theksuar se prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët që në moshë të vogël të krijojnë zakone të rregullta të pastrimit të gojës dhe dhëmbëve, duke paralajmëruar se neglizhenca mund të kontribuojë në shfaqjen e problemeve shëndetësore.

“Kultura e të higjienës së gojës është shumë e rëndësishme sidomos në Shqipëri, sepse akoma shohim të tilla gjëra që jo të gjithë i mësojnë që sa herë ushqehen të lajnë edhe gojën. Është shumë e rëndësishme. Është detyrë e prindërve që t’i mësojmë me regjimin e ri, por edhe me edukatën shëndetësore”, ka theksuar ajo.

Petrela ka nënvizuar rëndësinë e larjes së rregullt të dhëmbëve dhe të edukimit të fëmijëve për higjienën personale, duke e cilësuar kujdesin e hershëm si një mënyrë për të parandaluar probleme të mëvonshme.

Gjumi dhe ushqimi i shëndetshëm, pjesë e rutinës së përditshme

Në përfundim, pediatrja ka ndarë këshilla për organizimin e ditës së fëmijëve, duke rekomanduar që ata të flenë herët, rreth orës 21:30, të mos anashkalojnë mëngjesin dhe të konsumojnë ushqime të shëndetshme.

Ajo ka vlerësuar gjithashtu ushqimin e përgatitur në shtëpi, si një mundësi për t’u kushtuar më shumë vëmendje cilësisë së vakteve dhe zakoneve ushqimore.

Mesazhi kryesor i mjekes është se edukimi shëndetësor fillon në familje dhe se prindërit kanë rol të rëndësishëm në krijimin e rutinave që ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve.

Kufizimi i përdorimit të celularëve, respektimi i orareve të gjumit dhe ushqyerjes, si dhe kujdesi për higjienën personale janë disa nga zakonet që, sipas saj, duhet të kultivohen që në fëmijëri, transmeton gtema.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Pas gjashtë vitesh në Francë, 25-vjeçarja nga Shkodra kthehet në Shqipëri...

0
Historia e Elisa Hasanajt, e cila la pas gjashtë vite qëndrimi në Francë për të ndjekur pasionin e saj për uniformën e policisë, është...