Prishtinë – Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta është paralajmëruar të nisë sot në orën 12:00, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se synojnë të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të gjykatës.
Në një prononcim për protestën, Gazmend Syla e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke theksuar se, sipas organizatave të dala nga lufta, lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e kryera gjatë luftës.
“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, ka deklaruar Syla.
Organizatat kanë paralajmëruar gjithashtu krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen institucionet e vendit, partitë parlamentare, shoqëria civile, shqiptarët nga rajoni si dhe diaspora.
Sipas tyre, kjo nismë synon koordinimin e veprimeve pas aktgjykimit dhe gjatë procedurave të mëtejshme ligjore. Organizatat kanë paralajmëruar edhe hartimin e një strategjie kundërshtuese ndaj vendimit gjatë procesit të apelit.
Gjykata Speciale ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte. Vendimi mund të apelohet. Protesta e sotme pritet të mbledhë qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, ndërsa zhvillimet e mëtejshme pritet të lidhen me procedurat e apelit dhe nismat e paralajmëruara nga organizatorët.










