
Nga Dr.Driton Salihu
Për disa ditë pata mundësinë të qëndroj në Gjermani. Por, përtej qyteteve, rrugëve dhe gjithçkaje që pashë atje, ajo që më la më shumë mbresa ishin njerëzit tanë.
Takova shumë të rinj nga Presheva, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Disa kishin vetëm disa muaj që kishin ardhur. Disa të tjerë kishin kaluar vite dhe tashmë ishin integruar në sistemin gjerman, kishin mësuar gjuhën, kishin gjetur punë dhe kishin krijuar një jetë të re.
I takova në vende të ndryshme. Disa punonin në McDonald’s, disa në aeroport, postë, njëri si berber, një tjetër si teknik medicinal.
Dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se shumë prej tyre nuk ankoheshin. Punonin. Përpiqeshin. Mësonin. Përshtateshin. Dhe ia dilnin.
Vizitova edhe spitalin ku punon djali im dhe aty takova përsëri njerëz tanë, të rinj që po punojnë si mjek e staf medicinal dhe po ndërtojnë të ardhmen e tyre larg vendlindjes.
Secili kishte historinë e vet. Por pas të gjitha këtyre historive qëndronte e njëjta dëshirë: të jetojnë më mirë, të kenë një punë, siguri dhe mundësi për të ecur përpara.
Dhe, sinqerisht, nuk është ndjenjë e lehtë kur i sheh kaq shumë të rinj tanë larg.
Sepse kur i takon në Gjermani, në aeroport, në spitale, në restorante apo në vende pune, për një moment të duket sikur je duke takuar një pjesë të Preshevës, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, vetëm se mijëra kilometra larg.
Ata nuk i kanë harruar vendlindjet e tyre. Përkundrazi. Shumë prej tyre flasin me mall për shtëpinë, për familjen, për shoqërinë dhe për ditët që kanë lënë pas.
Por jeta i ka shtyrë të zgjedhin mes asaj që kanë dashur dhe asaj që u është dashur.
Dhe këtu, sado që të mos duam ta pranojmë, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi politikën.
Sepse politikanët tanë kanë pasur vite të tëra për të krijuar më shumë mundësi, më shumë siguri dhe më shumë besim për të rinjtë. Ndërkohë, një pjesë e madhe e tyre po e ndërton jetën jashtë.
Politika nuk duhet të matet vetëm me zgjedhje, mandate, deklarata dhe premtime. Duhet të matet edhe me atë se sa të rinj arrin t’i mbajë pranë vendlindjes së tyre.
Kur një gjeneratë e tërë largohet për të kërkuar atë që nuk e gjen në vendin e vet, atëherë nuk mund të thuhet se gjithçka është vetëm zgjedhje personale.
Pas disa ditësh në Gjermani, u ktheva me shumë fotografi dhe kujtime, por mbi të gjitha me shumë fytyra në mendje.
Fytyra të të rinjve tanë që dikur i shihnim në rrugët tona, ndërsa sot i takojmë në rrugët e Gjermanisë.
Dhe kjo të dhemb.
Sepse ndoshta më e dhimbshmja nuk është se ata kanë shkuar. Është se sa mirë po ia dalin atje










