Një tjetër sukses shqiptar në një prej skenave më prestigjioze të kinematografisë botërore. Regjisori dhe studiuesi Ilir Yzeiri është nderuar me çmimin si regjisori më i mirë i filmit dokumentar në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias, me dokumentarin “Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik 1474–1552”.
Dokumentari ishte përzgjedhur më herët nga Regione Veneto për të marrë pjesë në edicionin e 83-të të Festivalit Ndërkombëtar të Venecias. Filmi është marrë nga kompania italiane Cinemaset, me qendër në Romë, e cila pritet ta prezantojë atë edhe në disa platforma ndërkombëtare gjatë muajit tetor. Ky vlerësim merr një rëndësi të veçantë, pasi bëhet fjalë për një nga dokumentarët e parë të realizuar nga një autor shqiptar që përzgjidhet dhe prezantohet në këto platforma prestigjioze ndërkombëtare.
Në Festivalin e Venecias ishte i pranishëm edhe producenti i njohur shqiptar Emiliano Biraku. Një film ku ai ishte producent u nderua gjithashtu me çmimin e parë si dokumentari më i mirë.
Dokumentari i Ilir Yzeirit u realizua në vitin 2024, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe interesimit të posaçëm të kryeministrit Edi Rama. Në këtë dokumentar në mënyrë kronologjike tregohet se çfarë ndodhi me shqiptarët kur ra Shkodra.
Duke u mbështetur në veprat dhe rrëfimin e Luçia Nadinit dokumentari rindërton edhe njëherë atmosferën që u krijua në Venedik kur erdhën shqiptarët dhe autori ndjek me kamera fatin e Marin Barletit, Beçikemit, etj. Përmendet dhe tregohen skulpturat në dru të Kamsit një nga më të mëdhenjtë skulptorë të drurit në Mesjetën veneciane e më gjerë.
Lucia Nadin tregon edhe momentin kur zbuloi “Statutet e Shkodrës”. Xhirimet në Venecia dhe rrëfimi i Lucies nxjerrin në dritë një kohë kur Shqipëria ishte pjesë integrale e Europës së zhvilluar. Ato gjurmë që në Shqipëri mezi duken, Ilir Yzeiri, i tregon në dokumentarin “Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik 1478-1552”, transmeton rtsh.










