BallinaDiasporaVATRA PROMOVOI VEPRËN KUSHTUAR SKULPTORIT TË SHQUAR SHQIPTARO-AMERIKAN VASIL RAKAJ

VATRA PROMOVOI VEPRËN KUSHTUAR SKULPTORIT TË SHQUAR SHQIPTARO-AMERIKAN VASIL RAKAJ

-

Nga Sokol Paja

New York, 13 shtator 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi veprën “Vasil Rakaj” të autores Suzana Varvarica Kuka, kushtuar skulptorit të shquar shqiptaro-amerikan. Me pjesëmarrjen e studiuesve të artit, historianëve, gazetarëve, diplomatëve, shkrimtarëve, drejtuesve të shoqatave e organizatave atdhetare në New York e më gjerë, promovimi u shndërrua në një festë të artit, në nderim e vlerësim të mjeshtrit Vasil Rakaj, një nga përfaqësuesit e shkëlqyer të skulpturës shqiptare në diasporë. Vasil Rakaj nëpërmjet punimeve të tij ka sjellë në jetë figura të historisë, kulturës, identitetit dhe humanizmit shqiptar e botëror. Krijimtaria e artistit Rakaj shquhet për realizmin e arrirë figurativ, fuqinë monumentale shprehëse, thellësinë emocionale dhe përkushtimin shpirtëror e artistik ndaj ruajtjes së kujtesës historike e kulturore kombëtare në realizimin e veprave artistike dedikuar Nënë Terezës, Skenderbeut, Norës së Kelmendit etj.

Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York Dom Pjetër Popaj në fjalën e mirëseardhjes u shpreh me respekt dhe vlerësim ndaj skulptorit Vasil Rakaj, punës së tij artistike, vlerave të veprave të artit, procesit krijues dhe rolit të artit në shoqëri ku gjuha, komunikimi, arti, kultura nderojnë kombin. Puna e Vasilit për Nënë Terezën dhe vepra të tjera kulturore tha Dom Pjetër Popaj janë krijime që jetojnë me kohën si pasojë e realizimit të lartë artistik e shpirtëror të kolosit artist Vasil Rakaj. Vatrani historik Marjan Cubi përshëndeti në emër të kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha, duke vlerësuar jetën dhe veprën artistike të skulptorit Vasil Rakaj.

Gazetari i shquar i Zërit të Amerikës z.Frank Shkreli në fjalën e tij theksoi se Vasil Rakaj është një artist që, përmes artit të tij, ka krijuar një urë të veçantë midis Shqipërisë dhe Amerikës. Libri i studiueses Suzana Varvarica Kuka nuk është vetëm një vlerësim i një krijimtarie artistike. Ai është një dokumentim i një rrugëtimi njerëzor, artistik dhe kombëtar. Ajo që e bën, veçanërisht, të rëndësishëm rrugëtimin e Rakajt është fakti se, kur kaloi Atlantikun, ai nuk la pas vetes identitetin e tij shqiptar. Përkundrazi, e mori atë me vete dhe e shndërroi në një burim frymëzimi. Sipas Frank Shkrelit një artist i vërtetë nuk ndërton e krijon vetëm vepra. Ai ndërton ura midis popujve dhe Vasil Rakaj ka ndërtuar një urë që nis nga Boga e Malësisë së Madhe, kalon nëpër traditën artistike shqiptare dhe vazhdon deri në Amerikë, ku krijimtaria e tij është bërë pjesë, jo vetëm e komunitetit por edhe e jetës kulturore amerikane.

Artisti Gjergj Pali në fjalën e tij deklaroi se pozitiviteti i karakterit të Vasil Rakës manifestohet e përshkon gjithë qenien e tij dhe krijimtarinë, e gjithë trupi skulpturor i veprave të tij ka një mirësi të thjeshtë frymëzuese, lidhja e subjekteve me gojëdhënat, me figurat historike nga e kaluara e komplikuar e popullit shqiptar është prezent në veprat e skulptorit, heronjtë e figurat historike nuk janë vetëm ato të historisë e përpjekjeve shqiptare për egzistencën, vendosja e Vasos në USA hapi horizonte e mundësina të tjera me vlera e ndryshime në jetën e Artistit. Nuk ka se si të mos zënë vend po ashtu edhe figurat e historisë së US vend i cili ne kontribojmë bashkë me familjet e komunitetet tona, në jetën artistike ekonomike e politike. Martin Luther King Jr është një arritje me vlerë e kontribut i veçantë në Komunitetin që artisti bën pjesë, ne jemi tashmë pjesë e infrastrukturës artistike në USA, Luther Kingu është pjesë e historisë Amerikane dhe kontributi i tij në Human Rights Issues është gjithmonë koherent e i pranishëm. Biseda ime ka të bëjë me 10 vjeçarin e fundit që unë kam qenë prezent në krijimtarinë e Vasil Rakës, është një bashkëpunim i frutshëm dhe shumë dashamirës, përfundoi artisti Gjergj Pali.

Artisti Piro Asllani në kumtesën e tij theksoi se këtë krijimtari të pasur, plot art, të Vasilit, që përfshin edhe mjaft tematika të tjera lirike, por edhe filozofike, ndonjëherë profesor Gazmend Leka, miku ynë i përbashkët, gjithashtu në promovimin e këtij libri në Tiranë, e ka krahasuar me ndërtimin e një katedraleje gotike në Mesjetë, ku katedralja i jepte peshë dhe rëndësi jetës dhe vetë qytetit ku ngrihej. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, thotë Leka, libri bëhet qendra rreth së cilës orientohet e gjithë qenia e një artisti. Ti, i dashur Vasil, ia arrite të ndërtosh katedralen tënde. Po kështu, unë them se Suzana ia ka dalë me shumë sukses të na dhurojë këtë libër-monografi shumë dinjitoz të krijimtarisë së Vasil Rakajt. Gjithashtu, unë, me shumë modesti, do të shtoja se mua krijimtaria e shokut tim, Vasil Rakaj, më shembëllen me bedenat e një kështjelle të bardhë që shkëlqejnë mes reve të lehta, të davaritura nga dielli dritëplotë në një ditë pranvere, tha në fjalën e tij skulptori Piro Asllani.

Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij u shpreh se skulptori Rakaj e trajton Skenderbeun si figurë kalorësiake siç jemi mësuar ta shohim mbi kalë mbështetur te skulptori Odhise Paskali por dhe bëri bashkë kështjellën dhe figurën e heroit, si dhe i vendosi në sipërfaqen e lahutës që është instrument i lashtë dhe i veçantë i trashëgimisë kombëtare. Në punimet e artistit Rakaj, shprehet studiuesi Dr. Marku, Nënë Tereza paraqitet sa më origjinale, një evidentim të profilit të lutjes dhe mëshirës, mirësisë e butësisë që karakterizonte Nënën Tereza, si dhe nëpërmjet ndërhyrjes stilistikore të ngjyrës blu mbi rubën e kostumit të shenjtores, skulptori arriti të bashkojë ndjesitë personale me personazhin real. Sipas Dr. Markut pjesë e rëndësishme e projekteve të realizuar mjeshtërisht prej Vasil Rakajt janë trimat malësorë të Veriut, vëllezërit, Gjeto e Ded Coku. Nëpërmjet skulpturës është përpjekur që të paraqes imazhin realist të vëllezërve Coku, si burra fisnik, luftarak dhe me veshje ceremoniali popullore të krahinës. Skulptura e tyre me impaktin e një luftëtari patriotik dhe me revole në brez, që u realizuar me sukses vetëm atëherë kur skulptori Rakaj kishte lexuar shumë për historinë e tyre dhe ishte njohur me portretin e tyre fizik fotografik nëpërmjet fotografive arkivore e familjare.

Autorja e librit Suzana Varvarica Kuka në fjalën përshëndetëse të lexuar nga Zef Volaj shprehet se në faqet e librit janë shënuar faktet e plota të familjes ku Vasil Rakaj u rrit, u edukua me dijen, u arsimua në shkollën e lartë të arteve në Tiranë dhe punoi si mësues dhe artist. Të gjitha këto fakte janë burimi bazë i formimit të personalitetit të tij, si njeri dhe artist, ku spikasin ndjenjat e forta të dashurisë për mëmëdheun dhe familjen; patriotizmi i përkushtuar për atdheun e tij të ri Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndjenjat e thella shpirërore ndaj besimit katolik. Vasil Rakaj është artist realist dhe si i tillë personazhet, subjektet dhe temat e krijimtarisë së tij i ka gjetur në mjediset e historisë dhe të jetës së përditshme. Në këtë arsye skulptura e tij është sa epike po aq lirike. Krijimtaria epike është frymëzuar fuqishëm nga akte dhe personalitete historike të heronjve shqiptarë dhe amerikanë. Dhe ajo lirike është pasqyrim i ndjesive emocionale ndaj imazheve të portreteve dhe figurave njerëzore të njohura, familjare dhe të koncepteve të imagjinuara.

Skulptori Vasil Rakaj në fjalën përmbyllëse shprehu falënderime dhe mirënjohje për Federatën Vatra, Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, mediat dhe kumtuesit mbi veprën e tij artistike e kulturore. Artisti Rakaj u shpjegoi të pranishmëve qëllimin, rolin, mesazhin, detaje artistike dhe historinë e krijimit të veprave të tij kryesore artistike: Nënë Tereza, Skenderbeu e Nora e Kelmendit. Në përfundim të promovimit skulptori Vasil Rakaj dhuroi një shtatore të Nënë Terezës, për Sallën e Kishës dhe të ardhurat nga donacionet e librit iu dhuruan po Famullisë Zoja e Shkodrës./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Stuttgarti në nderim të dy meteorëve të lirisë Fehmi dhe Xhevë...

0
Imer Xhemail Lladrovci Në Stuttgart u përkujtuan me madhështi, dinjitet dhe emocione të veçanta dëshmorët Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi Lladrovci, në 28 vjetorin e...