Enzo Fernandez është shumë pranë transferimit te Manchester City. Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur në orët e fundit, mesfushori argjentinas do të bëhet zyrtarisht lojtari më i ri i skuadrës së Pep Guardiolës.
Manchester City dhe Chelsea kanë arritur marrëveshjen për transferimin e 25-vjeçarit, i cili pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore gjatë kësaj të marte, përpara se të firmosë kontratën dhe të bëhet zyrtarisht pjesë e klubit anglez.
Sipas raportimeve, City do të paguajë rreth 144 milionë euro për Enzo Fernandezin, duke bindur përfundimisht Chelsean të lejojë largimin e mesfushorit. Negociatat mes palëve kanë qenë intensive gjatë gjithë verës, ndërsa të hënën bisedimet morën një tjetër ritëm dhe u përshpejtuan ndjeshëm.
Marrëveshja është arritur vetëm pak orë përpara mbylljes së merkatos, duke i hapur rrugën transferimit të bujshëm të argjentinasit në “Etihad”.
Ky nuk është transferimi i parë i madh në karrierën e Enzo Fernandezit. Në janar të vitit 2023, mesfushori u transferua nga Benfica te Chelsea për 121 milionë euro, duke u kthyer në një nga lojtarët më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Nëse gjithçka përfundon sipas planit, Fernandez do të bëhet blerja më e shtrenjtë e kësaj merkatoje vere. Rekordi aktual mbahet nga Morgan Rogers, për të cilin Chelsea pagoi 138 milionë euro te Aston Villa.
Transferimi i Enzo Fernandezit te Manchester City pritet të jetë një nga lëvizjet më spektakolare të ditës së fundit të merkatos, ndërsa mesfushori argjentinas do t’i bashkohet një prej skuadrave më të fuqishme në Premier League, transmeton tchannel.










