
Nga Dashnim HEBIBI
Cyrih, 12 korrik, 2026 – Për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim, lidhja me vendlindjen mbetet e shenjtë. Njëri ndër ata që prej dekadash e ka dëshmuar këtë me vepra e jo vetëm me fjalë është atdhetari i njohur Bajram Mulaj, i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me çështjen kombëtare shqiptare. Para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, Bajram Mulaj ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në shumë drejtime, duke qenë gjithmonë pranë popullit dhe atdheut. Ai është një nga ata veprimtarë të diasporës që e kanë konsideruar angazhimin kombëtar si mision jetësor dhe jo si detyrim të përkohshëm.

Bajram Mulaj ka dhënë dhe jep kontribut edhe për LAPSH-in në Kt. Argau dhe në nivel Zvicre
Këto ditë, Bajram Mulaj po qëndron për pushime në Kosovë, në vendlindjen e tij, Isniq. Si çdo herë, kthimi në atdhe për të nuk është vetëm një pushim veror, por një rikthim te rrënjët, te familja, miqtë dhe kujtimet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Ai njihet si një njeri i afërt me njerëzit, me karakter fisnik dhe me vlera të larta njerëzore e kombëtare. Kudo që shkon, gëzon respekt dhe vlerësim për sinqeritetin, besnikërinë dhe gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët. Miqtë e shumtë që ka, si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë, flasin gjithmonë me fjalë të mira për personalitetin e tij. Edhe pse tashmë në Zvicër gëzon lumturinë e të qenit gjysh dhe kalon kohë me nipërit e mbesat, zemra e tij vazhdon të rrahë fort për vendlindjen.

“Sa herë vij në vendlindje, marr energji të re. Këtu e ndiej veten më të plotë dhe, sinqerisht, më duket sikur jeta më zgjatet”, shprehet ai shpesh për miqtë e tij. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Bajrami përpiqet të kalojë çdo çast pranë familjarëve dhe shoqërisë së tij të ngushtë. Mëngjesin e një prej ditëve të pushimeve e nisi me vëllezërit në Isniq, duke ndarë një fotografi në rrjetet sociale, të shoqëruar me fjalët:

Foto: Bajram Mulaj i treti nga e ana e djathtë
“Kafja e mëngjesit me vllazni në Isniqin legjendar.”
Një fjali e shkurtër, por që bart një mesazh të madh. Për çdo mërgimtar, kafeja e pirë në vendlindje ka një shije krejt tjetër. Është shija e tokës ku ke lindur, e njerëzve që të rritën, e kujtimeve të fëmijërisë dhe e respektit për të parët, varret e të cilëve mbeten dëshmia më e fortë e lidhjes sonë me vendin. Bajram Mulaj është ndër ata prindër që ua ka kultivuar këtë dashuri edhe fëmijëve të tij. Ai ka bërë gjithmonë përpjekje që ata të mos shkëputen nga rrënjët, duke i sjellë shpesh në Kosovë. Tashmë të njëjtën traditë po e vazhdon edhe me nipërit dhe mbesat.
Mesazhi që u përcjell brezave të rinj është i qartë dhe i thjeshtë:
“Mos e harroni kurrë vendin e të parëve tuaj.”

Ky është një mesazh që pasqyron filozofinë e jetës së tij dhe besimin se identiteti kombëtar ruhet duke mbajtur gjallë lidhjen me vendlindjen, gjuhën, kulturën dhe historinë. Familja Mulaj njihet gjerësisht si në Kosovë, ashtu edhe në Zvicër, si një familje e respektuar për fjalën e dhënë, besën, unitetin, humanizmin dhe atdhedashurinë. Këto vlera janë trashëguar brez pas brezi dhe vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit të saj. Kontributi i Bajram Mulajt në diasporë nuk matet vetëm me angazhimin e tij ndër vite për çështjen kombëtare, por edhe me shembullin personal që ka dhënë si njeri, familjar dhe atdhetar. Ai mbetet një figurë që frymëzon respekt dhe vlerësim, duke dëshmuar se dashuria për atdheun nuk zbehet me kalimin e viteve apo me largësinë gjeografike. Në fund, Bajram Mulajt i urojmë pushime të mbara në vendlindje, shëndet e jetë të gjatë, me dëshirën që të vazhdojë të jetë frymëzim për brezat e rinj të mërgatës shqiptare. Historia dhe veprimtaria e tij janë dëshmi se atdheu nuk mbahet gjallë vetëm duke jetuar në të, por edhe duke e dashur, duke e ndihmuar dhe duke mos e harruar kurrë, kudo që të jetosh.










