Dështon konsensusi në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian për miratimin e një rezolute të përbashkët mbi procesin e integrimit të Shqipërisë. Përplasja mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike u përqendrua te amendamentet e propozuara dhe mënyra se si duhet të pasqyrohet situata e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Partia Demokratike deklaroi se dështimi për arritjen e një dakordësie erdhi për shkak të kundërshtimit nga socialistët të më shumë se 30 amendamenteve të propozuara nga opozita. Sipas PD-së, këto ndryshime adresonin çështje themelore për integrimin europian, si lufta kundër korrupsionit, respektimi i vendimeve të gjykatave, forcimi i shtetit të së drejtës, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve.
Demokratët pretendojnë se amendamentet morën mbështetjen e eurodeputetëve në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin Shqipëri–BE, por nuk u miratuan për shkak të qëndrimit të përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste deklaroi se deputetët e saj dhe eurodeputetët votuan pro rekomandimeve që mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas PS-së, dokumenti i propozuar nga Sekretariati i Komitetit nuk kishte nevojë për amendime, pasi ai shoqërohej me Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për integrimin europian.
Socialistët argumentuan se disa amendamente të opozitës u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e tyre, por kundërshtuan formulime që, sipas tyre, cenonin balancën e dokumentit dhe nuk reflektonin progresin e Shqipërisë të evidentuar nga institucionet europiane.
PS akuzoi opozitën se kërkonte të hiqte nga dokumenti referencat për arritjet e vendit në procesin e integrimit, ndërsa PD këmbënguli se standardet europiane kërkojnë reforma konkrete dhe rezultate të matshme. Pavarësisht dakordësisë së palëve për objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në Strasburg nuk u arrit një qëndrim i përbashkët për tekstin përfundimtar të rezolutës./BS




