POSTIMET E FUNDIT

Butrinti në itinerarin turistik, vizitorë nga e gjithë bota tërhiqen nga historia dhe natyra

Parku Kombëtar i Butrintit po vizitohet gjatë kësaj periudhe nga një numër i madh turistësh vendas dhe të huaj. Kjo perlë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore shqiptare vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve, të cilët zgjedhin ta përfshijnë në itineraret e tyre turistike, sidomos gjatë sezonit veror.

“Më pëlqeu shumë Butrinti, është një vend i jashtëzakonshëm që të jep ndjesinë e një udhëtimi në kohë. Historia këtu është shumë e pasur dhe është e mahnitshme të shohësh se si qytetërime të ndryshme kanë lënë gjurmët e tyre. Rrënojat janë shumë të ruajtura dhe bazilika me dyshemenë me mozaik ishte një nga pjesët më të bukura që pashë. Është një vend që ia vlen patjetër të vizitohet”, tha një prej turistëve.

“ Butrinti më la një përshtypje shumë të fortë. Është një kombinim i rrallë i historisë, kulturës dhe natyrës së bukur përreth. Duke ecur nëpër park, ndihesh sikur po zbulon histori në çdo hap, nga teatri antik deri te strukturat e tjera arkeologjike. Më pëlqeu shumë mënyra si është ruajtur dhe prezantuar për vizitorët, është një eksperiencë shumë e veçantë”, deklaroi një tjetër turiste.

Rrënojat antike, teatri, bazilika dhe mozaikët e ruajtur ndër vite janë ndër pikat më të vizituara, duke ofruar një eksperiencë unike për çdo vizitor.

“Jam shumë i impresionuar nga Butrinti dhe nga vlerat që ofron. Është një vend i qetë, me një atmosferë unike dhe me shumë për të parë dhe mësuar. Më bëri shumë përshtypje fakti që mund të shohësh kaq shumë periudha historike në një vend të vetëm. Rrënojat, natyra dhe historia bashkohen në një mënyrë shumë të bukur, duke e bërë këtë park një nga destinacionet më të veçanta që kam vizituar”, u shpreh një nga turistët.

Fluksi i shtuar i turistëve ka ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit lokal, duke gjallëruar ekonominë e zonës. Autoritetet dhe operatorët turistikë vijojnë të punojnë për përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve, me qëllim që Parku Kombëtar i Butrintit të mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB