Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nisi vizitën e tij në Luginën e Preshevës me takime me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të kësaj treve.
Gjatë vizitës, Begaj u takua me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e komunës së Bujanocit, Arbër Bajaziti, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepi.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës jetojnë në trojet e tyre, por ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai theksoi se gjatë takimeve u diskutua për shqetësimet e komunitetit shqiptar, forcimin e bashkëpunimit politik, si dhe për projektet që synojnë të ndihmojnë rininë e kësaj zone.
Begaj u bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë të Luginës që të bashkohen sa herë që është në interes të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve.
“Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë.
Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme.
I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.
I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare”, shkruan Begaj, transmeton rtsh.




