POSTIMET E FUNDIT

Samiti i NATO-s në Ankara, Shqipëria pritet të firmosë krijimin e Bankës së Mbrojtjes bashkë me 9 vende aleate

Në kuadër të samitit të NATO-s, Shqipëria do të jetë një nga 10 vendet themeluese që do të firmosin marrëveshjen për krijimin e Bankës së Mbrojtjes, një mekanizëm i ri financiar i krijuar për të mbështetur investimet në industrinë e mbrojtjes, teknologjitë ushtarake dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve anëtare.

Nga Ankaraja, gazetarja e RTSH Denada Shkodrani tha se nisma konsiderohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e sigurisë euroatlantike, pasi synon të lehtësojë financimin e projekteve strategjike në mbrojtje, inovacion, prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe modernizimin e ushtrive të vendeve pjesëmarrëse.

Firmosja e marrëveshjes do të bëhet në mesditën e 7 korrikut, paralelisht me zhvillimet e samitit, ku kryeministri Edi Rama ndodhet i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri i Mbrojtjes, drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO.

Pjesëmarrja e Shqipërisë si vend themelues vjen në një moment kur Tirana ka rritur angazhimin e saj në fushën e mbrojtjes dhe ka shprehur ambicien për të pritur Samitin e NATO-s në vitin 2027.

Përveç krijimit të Bankës së Mbrojtjes, samiti do të fokusohet te rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, mbështetja afatgjatë për Ukrainën, forcimi i krahut lindor të Aleancës, zhvillimi i teknologjive të reja ushtarake dhe bashkëpunimi në fushën e inovacionit.

Në samit marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues të vendeve partnere, ndër to Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB