Cyrih, 9 qershor 2026 – Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me drejtuesit e Lidhjes së Spitex dhe Infermierëve Shqiptarë në Zvicër “Alba Health”, një organizatë e re profesionale që synon të fuqizojë rolin e profesionistëve shqiptarë në fushën e kujdesit shëndetësor në Zvicër. Siç mëson HelveticALForum.ch, në takim morën pjesë kryetari i Alba Health, Ekrem Hasani, nënkryetarja Shqipe Halili, si dhe anëtarët e bordit Rexhep Rama, Ali Murtaj dhe Nezir Tishuki. Gjatë bisedës u prezantuan misioni, vizioni dhe objektivat e organizatës, e cila synon të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe mbështetjeje për infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë me prejardhje shqiptare në Zvicër. Në një prononcim pas takimit, Vigan Berisha vlerësoi lart angazhimin e drejtuesve të Alba Health, duke theksuar rëndësinë e iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin profesional, rrjetëzimin dhe promovimin e vlerave të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.
“Patëm kënaqësinë të zhvillonim një takim me drejtuesit e Alba Health, ku u njohëm nga afër me aktivitetin dhe vizionin e tyre për avancimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Diskutuam mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, fuqizimin e profesionistëve shëndetësorë dhe krijimin e urave të reja të komunikimit dhe partneritetit në shërbim të komunitetit dhe mirëqenies së përgjithshme”, theksoi Berisha.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe përgatitjeve për Hapjen Zyrtare të Alba Health, e cila do të mbahet më 26 qershor 2026 në Cyrih. Kjo ngjarje pritet të mbledhë profesionistë të sektorit shëndetësor, përfaqësues institucionesh, organizata partnere dhe personalitete të ndryshme të jetës publike, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e kujdesit shëndetësor. Sipas organizatorëve, ceremonia e hapjes do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për ndërtimin e partneriteteve të reja dhe promovimin e standardeve profesionale në sektorin e infermierisë dhe kujdesit shëndetësor, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë dhe institucioneve relevante në Zvicër. Misioni Konsullor i Kosovës në Cyrih ka shprehur mbështetjen e tij për iniciativa të tilla, të cilat kontribuojnë në integrimin, avancimin profesional dhe përfaqësimin dinjitoz të komunitetit shqiptar në Zvicër. Në fund të takimit, Berisha uroi Alba Health për sukses në realizimin e misionit të saj, duke vlerësuar rolin e organizatës në ndërtimin e një rrjeti profesional që promovon bashkëpunimin, zhvillimin dhe mbështetjen e ndërsjellë. Takimi u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave profesionale shqiptare në Zvicër, në funksion të zhvillimit të sektorit shëndetësor dhe mirëqenies së komunitetit, transmeton helveticALForum.ch.




