POSTIMET E FUNDIT

Kultura Shqiptare shkëlqen në Kroaci – “Shkëndija” prezanton me krenari trashëgiminë kombëtare në Križevci

Križevci, 7 Qershor 2026 – Në kuadër të manifestimit tradicional “Križevačko veliko spravišče”, qyteti i Križevcit u bë qendër e kulturave evropiane, ku grupe folklorike nga vende të ndryshme prezantuan traditat dhe identitetin e tyre kulturor në programin ndërkombëtar “Evropa vallëzon”. Me ftesë të Shoqatës Kulturo-Artistike “Križevci”, Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija” mori pjesë me dinjitet dhe krenari në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, duke përfaqësuar kulturën, traditat dhe folklorin shqiptar para publikut vendas dhe ndërkombëtar.

Paraqitja e anëtarëve të “Shkëndijës” u mirëprit me entuziazëm nga të pranishmit, ndërsa performancat e tyre sollën ngjyrat, ritmet dhe shpirtin e trashëgimisë shqiptare në zemër të Kroacisë. Pjesëmarrja në këtë manifestim dëshmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm që shoqata luan në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar në diasporë. Një vlerësim i veçantë për angazhimin dhe kontributin e saj erdhi nga organizatorët dhe institucionet vendore. Shoqata “Shkëndija” u nderua me mirënjohje nga Qyteti i Križevcit dhe Enti Turistik i Križevcit, një vlerësim që konsiderohet dëshmi e punës së palodhshme në kultivimin dhe promovimin e kulturës shqiptare në Kroaci.

Momenti më emocionues i mbrëmjes ishte interpretimi për herë të parë para publikut i “K’cimit të Tropojës”, një nga perlat e folklorit shqiptar, i cili në vitin 2024 u regjistrua në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s. Ky prezantim u prit me interes të madh dhe u shndërrua në një urë lidhëse mes kulturave dhe traditave të ndryshme evropiane. Përfaqësuesit e shoqatës shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për organizatorët e manifestimit, duke falënderuar Shoqatën Kulturo-Artistike “Križevci” për mikpritjen e ngrohtë, besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje prestigjioze. Pjesëmarrja e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shkëndija” në programin “Evropa vallëzon” përbën një tjetër sukses në misionin e saj për të ruajtur, promovuar dhe prezantuar vlerat e pasura të kulturës shqiptare, duke dëshmuar se traditat tona vazhdojnë të jetojnë dhe të vlerësohen përtej kufijve kombëtarë. Križevci mbetet një kujtim i bukur dhe një dëshmi se kultura dhe arti janë gjuhë universale që bashkojnë popujt, ndërtojnë miqësi dhe forcojnë respektin e ndërsjellë mes kombeve, transmeton Shkëndija, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB