Zvicër – Pas një fillimi jave me mot të kthjellët dhe temperatura tipike verore, kushtet atmosferike në Zvicër pritet të ndryshojnë ndjeshëm gjatë pasdites së së hënës, kur parashikohen reshje shiu dhe stuhi me bubullima në disa rajone të vendit. Sipas parashikimeve meteorologjike, nga ora 14:00 e tutje ekziston mundësia e zhvillimit të stuhive të para, veçanërisht në zonat pranë Jurës dhe në rajonet para-alpine, transmeton 20min.ch. Reshjet e shiut, vetëtimat dhe bubullimat mund të jenë të pranishme në këto zona, ndërsa në orët e mbrëmjes qelizat e stuhive pritet të përhapen edhe në pjesët e ulëta të vendit. Megjithëse temperaturat gjatë ditës së hënë arrijnë deri në rreth 26 gradë Celsius në ultësirat zvicerane, ndryshimi i motit do të sjellë një freskim të dukshëm të ajrit. Dita e martë do të karakterizohet nga temperatura dukshëm më të ulëta. Në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës, termometri pritet të mos kalojë kufirin e 20 gradëve Celsius. Në rajonet lindore të vendit do të ketë reshje të herëpashershme shiu, duke krijuar një atmosferë më të freskët dhe më të paqëndrueshme krahasuar me ditët e fundit.
Meteorologët njoftojnë se kjo periudhë e freskët nuk do të zgjasë shumë. Nga fundjava pritet një rikthim gradual i motit më të ngrohtë, me temperatura në rritje dhe më shumë intervale me diell. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë kalimit të stuhive, veçanërisht në aktivitetet në natyrë dhe gjatë udhëtimeve, pasi në disa zona mund të ketë reshje intensive dhe erëra të forta për periudha të shkurtra kohore, transmeton 20min.ch e përcjell helveticALForum.ch.




