POSTIMET E FUNDIT

Ardian Gjini zgjidhet në krye të AAK-së, Haradinaj i dorëzon drejtimin me mesazh besimi

Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të partisë, duke shënuar një etapë të re në organizimin politik të subjektit.

Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, Gjini falënderoi strukturat dhe anëtarësinë e AAK-së për besimin e dhënë, duke theksuar se forca e Aleancës buron nga bashkëpunimi, besimi i ndërsjellë dhe angazhimi i vazhdueshëm i anëtarëve të saj.

Ai tha se AAK hyn në një fazë të re politike, me synim forcimin e organizimit të brendshëm dhe përgatitjen për sfidat politike që e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Kryetari aktual i partisë, Ramush Haradinaj, konfirmoi para delegatëve se po ia lë drejtimin e Aleancës Ardian Gjinit, duke shprehur mbështetje të plotë për të.

“Sot kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë tek ti. Besojmë që të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Ai rikujtoi rrugëtimin e tij nga lufta çlirimtare deri te angazhimi politik, duke theksuar se shërbimi ndaj Kosovës nuk përfundon me largimin nga posti drejtues.

“Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë”, u shpreh Haradinaj.

Nga ana tjetër, Gjini e cilësoi Haradinajn si “simbol të Kosovës, simbol të lirisë dhe i politikës së mençur që ka ndodhur në Kosovë për më shumë se 30 vjet”, duke shtuar se historia e tij do të shkruhet “me shkronja të arta”.

Emocione pati edhe gjatë fjalimit të sekretarit të partisë, Besnik Tahiri, i cili tha se mesazhi i Haradinajt për hapjen e rrugës ndaj një gjenerate të re preku thellë delegatët dhe anëtarësinë e Aleancës.

Tahiri vlerësoi lart rolin historik të Haradinajt në proceset shtetformuese dhe në rrugëtimin politik të Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë me ndikim të veçantë në lirinë dhe ndërtimin e shtetit.

Kuvendi i AAK-së pritet të formalizojë zgjedhjen e Ardian Gjinit në krye të partisë, ndërsa ai pritet të udhëheqë edhe listën zgjedhore të Aleancës në zgjedhjet e ardhshme, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB