
Përgatiti Dashnim HEBIBI
St. Gallen / Zvicër – E diela e 10 majit nuk ishte thjesht një datë kalendarike për mërgatën shqiptare në Zvicër. Ajo u shndërrua në një ditë kujtese, emocionesh, reflektimi dhe nderimi për bijtë më të mirë të kombit shqiptar – dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Pas disa viteve ndërprerjeje për shkak të pandemisë, u rikthye Akademia Përkujtimore kushtuar dëshmorëve të UÇPMB-së, akademia e vetme e këtij lloji në diasporën shqiptare.

Në një atmosferë të qetë, por tejet emocionale, Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe Shoqata Humanitare “Medvegja”, të mbështetura nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, organizuan këtë aktivitet përkujtimor me mesazhin e qartë se sakrifica e dëshmorëve nuk harrohet dhe se kujtesa historike duhet të ruhet brez pas brezi.

Këshilli organizativ u shpreh se këtë vit është vërejtur një interesim për të nderuar dëshmorët dhe theksoi se vitin e ardhshëm akademia do të organizohet edhe më madhështore, pasi dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të tyre, por të gjithë kombit shqiptar.
Një organizim modest, por me zemër të madhe
Edhe këtë herë programi ishte modest, larg luksit dhe shpenzimeve të mëdha, ashtu siç kanë qenë organizimet ndër vite. Organizatorët theksuan se çdo frangë e shpenzuar nga shoqatat shihet “si sytë e ballit”, sepse qëllimi nuk ka qenë kurrë spektakli, por respekti dhe kujtimi për ata që dhanë jetën për liri.

Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, gjatë përshëndetjes

Fazli Musliu, xhaxhai i dëshmorit Mitat Musliu, ia nda mirënjohjen, Shefit të Misionit Konsullor të Kosovës, z.Vigan Berisha
Në sallë nuk kishte më shumë se 100 bashkatdhetarë, por secili prej tyre kishte ardhur me zemër. Disa kishin bërë katër orë rrugë, të tjerë dy orë, vetëm për të qenë pjesë e kësaj dite përkujtimore. I pranishëm ishte edhe Memet Qazimi, kryetar i Asociacionit të Medvegjës, Asociacon i cili rreth vetes ka veprimtarë të dëshmuar.

Zenel Neziri, kryetar i SHH “Medvegja” duke nda mirërnjohje për Shaqir Demaj – “Baci Shaq”, lahutist.
Salla ishte e dekoruar me fotografitë e dëshmorëve të UÇPMB-së dhe me flamujt kombëtarë shqiptarë, flamurin e Zvicrës, të Kosovës, të UÇK-së dhe të UÇPMB-së. Në çdo cep të sallës ndihej fryma e kujtesës kombëtare dhe respekti për sakrificën. Në mesin e të pranishmëve kishte bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare – nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora shqiptare në Zvicër.

Fazli Musliu, kryetar nderi i SHHLP, duke i ndarë mirënjohje Prof. Dr. Xhavit Lipaj
“Sot kjo sallë është dashur të jetë përplot”
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte fjala hyrëse e organizatorit, PhD. Dashnim Hebibi që ishte edhe në rolin e drejtuesit të akademisë i cili foli hapur për mungesën e pjesëmarrjes masive dhe nevojën që dëshmorët të mos harrohen.

Ai tha;
“Të nderuar të pranishëm, nuk mundem të heshti e të mos flas aty ku besoj se edhe ju do të pajtoheni me mua. Sot është dashur që kjo sallë të jetë përplot. Kemi pasur raste para disa viteve kur disa na kanë thënë: ‘Nuk mundemi të vijmë në akademi, sepse po duhet me qajtë; një ditë e kemi të lirë dhe atë ditë nuk duam të qajmë.’ Të rrallë janë ata që duan të kontribuojnë për një akademi përkujtimore.”

Ai kujtoi se para 18 vitesh sallat ishin të mbushura plot, ndërsa sot pjesëmarrja është më e vogël, duke ngritur shqetësimin se shoqëria po rrezikon të harrojë ata që dhanë jetën për lirinë dhe flamurin kuqezi. Megjithatë, organizatori shtoi se secili që kishte ardhur atë mbrëmje kishte ardhur me ndërgjegje dhe respekt për dëshmorët, duke kontribuar moralisht për kujtesën kombëtare.

Përshëndetjet
Para fillimit të programit u përcollën përshëndetje nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, i cili kishte planifikuar të merrte pjesë, por për shkakun e agjendës që ka ndryshuar nuk kishte mundur të jetë prezent.

Po ashtu, organizatorët përcollën përshëndetjet e Ambasadës së Shqipërisë. Sekretari i ambasadës, Valon Gashi, ndodhej në rast vdekjeje familjare pas ndarjes nga jeta të gjyshes së tij, ndërsa ambasadori ishte jashtë Zvicrës.

Një mirëseardhje e veçantë iu bë Shefit të Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, për të cilin u tha se është vazhdimisht pranë aktiviteteve kombëtare dhe se është i pandalshëm.

Organizatori u shpreh me emocione:
“Që kur ka ardhur nuk e ka ditur çka është dita e pushimit; aq shumë më ka lodhur edhe mua duke shkruar e organizuar, por e përshëndes me loçkë zemre.”
Kujtim për 28 dëshmorët e UÇPMB-së
Pjesa qendrore e akademisë iu kushtua 28 dëshmorëve të UÇPMB-së, prej të cilëve 14 ishin nga Lugina e Preshevës dhe 14 nga Kosova.
Në fjalimin kryesor u theksua se ata u bashkuan nën një flamur të vetëm – flamurin kuqezi – pa pyetur se nga cili qytet apo krahinë vinin, sepse mbi gjithçka kishin kombin dhe lirinë.

U tha se ata sot qëndrojnë pranë figurave më të ndritura të historisë shqiptare, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Isa Boletini, Fan Noli, Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e patriotët që u flijuan për kombin.

Shefqet Cakolli, President i SH.K.A “Dardania” iu nda mirënjohje nga dy veprimtarët Musliu dhe Neziri
Një mesazh i fortë ishte edhe simbolika e flamurit kombëtar:
“Sa herë që e shikojmë flamurin kuqezi, aty shohim gjakun e dëshmorëve tanë. Në ngjyrën e kuqe shohim sakrificën e tyre sublime, ndërsa tek shqiponja dykrenare shohim bashkimin dhe amanetin që shqiptarët të qëndrojnë gjithmonë së bashku.”

UÇPMB-ja dhe rruga e sakrificës
Në akademi u rikujtua historia e daljes së UÇPMB-së në janar të vitit 2000, në një kohë kur shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit përballeshin me represion, arrestime dhe dhunë sistematike nga forcat serbe.
Në fjalim u tha se bijtë më të mirë të kombit morën armët jo për pushtet apo hakmarrje, por për të mbrojtur familjet, pragun e shtëpisë, nderin kombëtar dhe flamurin kuqezi.

Mirënjohje iu nda Zeqë Gashi nga Ansambli “Trojet”
“Lufta e UÇPMB-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse. Ishte zëri i një populli që nuk pranoi të jetojë i nënshtruar. Ishte thirrja e ndërgjegjes kombëtare për drejtësi, barazi dhe liri.”
Një pjesë e rëndësishme iu kushtua familjeve të dëshmorëve, duke u thënë se dhimbja e tyre është dhimbje e gjithë kombit shqiptar.
“Asnjë fjalë nuk mund ta zëvendësojë mungesën e bijve tuaj, por ju duhet të ndiheni krenarë, sepse ata hynë përgjithmonë në historinë e lavdishme të kombit tonë.”

Daut Luboja, pranoi mirënjohje nga dy kryetarët e Shoqatave nga Lugina e Preshevës, Fazli Musliu, kryetar nderi i SHLP dhe Zenel Neziri, kryetar i SHH “Medvegja”
Një minutë heshtje dhe dokumentari për dëshmorët
Programi vazhdoi me një minutë heshtje për 28 dëshmorët e UÇPMB-së dhe gjithë dëshmorët e kombit shqiptar. Pas heshtjes u shfaq një dokumentar i shkurtër, i realizuar para dhjetë vitesh nga PhD. Dashnim HEBIBI, i cili solli kujtime, fotografi dhe momente nga lufta e UÇPMB-së dhe sakrifica e luftëtarëve të saj.

Shumë nga të pranishmit nuk i fshehën emocionet gjatë shfaqjes së dokumentarit.
Fjalimet dhe mesazhet e pjesëmarrësve
Përshëndetje mbajti ish-komandanti i UÇPMB-së, z. Shefket Hasani nga Dobrosini historik, i cili bëri thirrje për unitet kombëtar dhe për ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

Në mesin e mysafirëve ishte edhe lahutisti i njohur Shaqir Demaj – “Baci Shaq”, i cili kishte ardhur enkas nga Winterthuri dhe interpretoi një këngë të përgatitur posaçërisht për dëshmorët e UÇPMB-së.

Me shumë respekt u prit edhe Prof. Dr. Xhavit Lipaj, shkencëtar i njohur dhe familjar i nëntë anëtarëve të familjes së tij të rënë për lirinë e Kosovës, përfshirë edhe nënën e tij.

Po ashtu, një fjalë mbajti edhe Zenel Neziri, kryetar i Shoqatës Humanitare “Medvegja” në Zvicër, i cili kishte udhëtuar rreth 400 kilometra për të marrë pjesë në akademi me mikun e tij e veprimarin e njohur, Sabit Abazi.
Telegramet përshëndetëse
Në akademi u lexuan edhe tre telegrame përshëndetëse:
- nga veprimtari Nazmi Hajredini – ish i burgosur politik, veteran i luftës dhe themelues i OVL-së;
- nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti;
- nga kryetari i OVL-së për Preshevë, Vllaznim Behluli.
Organizatorët i falënderuan për mbështetjen dhe faktin që nuk e harruan këtë akademi.
Nasir Rustemi: “Akademia pushoi, por jo zemrat tona”
Një fjalë rasti mbajti edhe profesori i historisë dhe veprimtari shumëvjeçar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, z. Nasir Rustemi.

Ai theksoi se pandemia e kishte ndalur përkohësisht organizimin e akademisë, por jo kujtesën dhe përkushtimin e organizatorëve.
“Pas pandemisë akademia pushoi, por nuk pushoi në zemrat tona. Vitin që vjen do të jemi edhe më të fuqishëm.”

Mirënjohje për kontribuuesit
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Avni Berisha nga Volljaku i Klinës, vëllai i dëshmorit Bedri B. Berisha, pastaj Bekim Imeri, Blerim Shabani, Bejtulla Beluli, Xhavit Sherifi, etj.
Një falënderim i veçantë iu bë edhe Daut Lubojës, kameraman dhe veprimtar i njohur, i cili kishte ardhur nga Cyrihu për ta regjistruar aktivitetin.
Organizatori tha se ai kishte telefonuar vetë për të kontribuar:
“Dua të kontribuoj edhe unë për dëshmorët edhe kësaj here.”
Në fund të akademisë u ndanë mirënjohje për:
- z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih;
- prof. dr. Xhavit Lipaj;
- z. Shefqet Cakolli, president i SHKA “Dardania”;
- Zeqë Gashi, president i Ansamblit “Trojet”;
- Daut Luboja, veprimtar dhe kameraman;
- Shaqir Demaj – “Baci Shaq”, lahutist.

“Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptar”
Fjala e Vigan Berishës, Shef i Misionit Konsullor i Kosovës në Cyrih,
I nderuar Dr. Dashnim Hebibi, gazetar, publicist dhe president i Institutit Helvetik të Evropës Juglindore,
I nderuar z. Fazli Musliu, kryetar nderi i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”,
Të dashur familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë të luftës, ish të burgosur politik,
I dashur Komandant Shefket,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave, ansambleve,
Të dashur bashkatdhetarë,
Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi mbledhur këtu me ndjenjë respekti, krenarie dhe përgjegjësie kombëtare për të nderuar dëshmorët e UÇPMB-së dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar, të cilët me sakrificën e tyre sublime u bënë themel i lirisë, dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar.

Jemi mbledhur për t’i kujtuar me nderim bijtë dhe bijat më të mirë të kombit, të cilët ranë për idealin më të shenjtë lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e popullit shqiptar. Sakrifica e tyre nuk ishte vetëm për një brez apo për një trevë të caktuar, por për të ardhmen dhe dinjitetin e gjithë kombit shqiptar, kudo që ai jeton. Dëshmorët tanë nuk kursyen jetën e tyre përballë padrejtësive, shtypjes dhe diskriminimit sistematik të regjimit serb. Ata u bënë simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Me gjakun dhe idealin e tyre, ata dëshmuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe përkushtim.
Prandaj, kujtimi për ta nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një amanet historik e kombëtar që duhet ta ruajmë dhe ta përcjellim brez pas brezi.
Ne kemi për obligim që historinë e tyre ta mbajmë gjallë, jo vetëm në përvjetorë e akademi përkujtimore, por edhe në edukimin e brezave të rinj, në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe në forcimin e unitetit tonë si komb.
Republika e Kosovës, do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë. Institucionet tona do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë shqiptarëve autoktonë të Luginës së Preshevës, duke mbështetur të drejtat e tyre legjitime, ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor e gjuhësor, si dhe aspiratat e tyre për barazi, dinjitet dhe perspektivë më të mirë.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandashme e kombit shqiptar. Ata kanë ruajtur me krenari gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare, edhe në kohë të vështira e sfiduese. Për këtë arsye, institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë zëri dhe mbështetja e tyre në çdo sfidë dhe në çdo përpjekje për realizimin e të drejtave të tyre të garantuara ndërkombëtarisht.
Po ashtu, sonte dëshiroj të shpreh respektin dhe mirënjohjen tonë edhe për mërgatën shqiptare këtu në Zvicër, e cila ndër vite ka qenë një shtyllë e fuqishme e çështjes kombëtare. I një falënderim i veçantë shkon edhe per shtetin mik Zviceran për gjithë mikpritjen dhe kontributin e tij për shqiptarët kudo që ndodhen në Ballkan.
Në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, dua të shpreh mirënjohjen më të sinqertë për organizatorët e kësaj akademie përkujtimore, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ju që sonte jeni pjesë e këtij përkujtimi dinjitoz. Prania juaj dëshmon se kujtesa për dëshmorët mbetet e gjallë dhe se uniteti ynë kombëtar është më i fortë se koha dhe distanca.
Urojmë po ashtu që kjo mbrëmje kujtimi dhe nderimi, të jetë edhe një thirrje për unitet, solidaritet dhe përkushtim ndaj vlerave tona kombëtare.
Amaneti i dëshmorëve na obligon që me punë, përkushtim dhe bashkim të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë — një të ardhme me më shumë drejtësi, zhvillim, paqe dhe dinjitet kombëtar. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e tyre! Ju faleminderit!
—– Fjala e Fazli Musliut, kryetar nderi i SHHLP „Lugina e Preshevës“ në Zvicër
Përshëndetje të nderuara familje të dëshmorëve, i nderuar Shef i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha, bashkëkombas, zonja dhe zotërinj,

Para se të shpall të hapur këtë Akademi Përkujtimore, përkulem me zemër e shpirt para dëshmorëve të UÇPMB-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit, që në kohëra të ndryshme dhanë jetën për lirinë e atdheut dhe për flamurin tonë kuq e zi. Ata jetojnë në ndërgjegjen tonë, në historinë tonë dhe në vetë flamurin tonë, aty ku valon shqiponja dykrenare. Aty i shohim figurat tona më të ndritura: Skënderbeun, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin, Sali Çekun, vëllezërit Haradinaj dhe shumë e shumë të tjerë, që me veprën e tyre e bënë të pavdekshëm idealin e lirisë. Qoftë i përhershëm kujtimi i tyre!
Të nderuara familje të dëshmorëve, të respektuar të pranishëm,
Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për të dëshmuar se sakrifica nuk harrohet. Edhe pse ka vite që kjo Akademi nuk është mbajtur publikisht, dëshmorët nuk kanë munguar asnjëherë në zemrat tona. I kemi kujtuar në heshtje, me dhimbje, por edhe me krenari, në çdo përvjetor, në çdo tubim familjar, në çdo moment reflektimi. Kujtimi për ta ka qenë gjithmonë i gjallë në shpirtin tonë.
Më lejoni që në këtë moment të flas edhe si familjar. Si xhaxhai i dëshmorit të UÇPMB-së, Mitat Musliu, dhe në emër të gjithë familjarëve të dëshmorëve, ju përgëzoj përzemërsisht për këtë organizim. Ky është një akt respekti dhe përgjegjësie ndaj historisë sonë dhe ndaj atyre që sakrifikuan gjithçka.
Shoqata Humanitare „Lugina e Presheves”, ku kam nderin të jem kryetar nderi, në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Medvegja”, kanë treguar edhe një herë se kur jemi bashkë, mund të bëjmë gjëra të mëdha. Falënderoj nga zemra të gjitha kryesitë dhe anëtarët e këtyre shoqatave për përkushtimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.
Shoqatat e Luginës gjithmonë kemi qenë bashkë dhe do të jemi e tregojnë faktet me dekada. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në organizimin e kësaj Akademie. Nuk është e lehtë të mbahet gjallë një aktivitet i tillë, sidomos kur mungojnë mundësitë dhe përkrahja e nevojshme financiare. Fatkeqësisht, jo gjithmonë gjejmë vullnetin e mjaftueshëm për ta çuar përpara këtë mision, por ne nuk do të ndalemi.
Duhet ta themi hapur: si shoqatë, nuk kemi mundësi të ftojmë artistë të mëdhenj, sepse shumica kërkojnë pagesa që tejkalojnë mundësitë tona. Por kjo nuk do të jetë kurrë arsye për të ndalur përkujtimin. Me forcat tona, me përkushtimin tonë dhe me dashurinë për dëshmorët, do t’i kujtojmë ashtu siç i kemi kujtuar për vite me radhë.
Madje, me krenari mund të themi se jemi ndër të paktët, në mos të vetmit në diasporë, që i kujtojmë në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme dëshmorët tanë. Kjo na obligon edhe më shumë.
Do të duhej të bashkohemi edhe më shumë, që kjo Akademi të bëhet çdo vit më e fortë, më e denjë për sakrificën e tyre. Sepse dëshmorët e meritojnë unitetin tonë, respektin tonë dhe përkushtimin tonë të përhershëm.
Qofshim gjithmonë të bashkuar – nga Medvegja, Presheva e Bujanoci, nga Tetova e Gostivari, nga Prishtina, Peja, Gjakova e Drenica, nga Tirana, Vlora, Ulqini e Malësia – kudo që ndodhemi.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tyre! Dhe me këtë, shpall të hapur Akademinë Përkujtimore për këtë vit.
—-
Fjala e Prof.Dr.Xhavit Lipaj

Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
të nderuar bashkëkombës, miq dhe pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar emra. Jemi mbledhur për të kujtuar një frymë. Një ideal. Një dhimbje që nuk shuhet dhe një krenari që nuk përkulet. 10 maji nuk është vetëm datë në kalendar. Është një plagë historike dhe një betim moral. Është dita kur kujtesa na thërret të mos harrojmë ata që dhanë jetën që ne sot të kemi të drejtën të flasim lirshëm shqip, të jetojmë me dinjitet dhe të mbajmë kokën lart si komb. Dëshmorët e UÇPMB-së nuk ranë për lavdi personale. Ata nuk kërkuan pasuri, pushtet apo privilegje. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë — rrugën e sakrificës. Sepse kishte momente në histori kur heshtja ishte tradhti, dhe fjala “liri” kërkonte jo vetëm zë, por edhe gjak. Sot, kur përmendim emrat e tyre, nuk përmendim vetëm njerëz të rënë. Përmendim bijtë dhe bijat më të mira të kombit, që u bënë mur përballë padrejtësisë dhe dritë në errësirën e një kohe të rëndë. Ata lanë familje. Lanë ëndrra. Lanë jetën që sapo kishte filluar. Por nuk lanë kurrë pas idealin. Dhe pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia jonë sot është e madhe. Nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë një herë në vit. Nuk mjafton vetëm një kurorë me lule apo një minutë heshtje. Ne duhet ta mbrojmë amanetin e tyre përmes unitetit, dinjitetit dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. Sepse kombi nuk dobësohet nga armiku i jashtëm aq sa dobësohet nga përçarja e brendshme, nga harresa dhe nga humbja e idealeve. Dëshmorët nuk na lanë trashëgimi urrejtjen. Na lanë përgjegjësi. Na lanë obligimin që brezat e rinj të mos rriten pa e ditur çmimin e lirisë. Që historia të mos deformohet. Që sakrifica të mos relativizohet. Që flamuri të mos mbetet vetëm simbol, por ndërgjegje. Sot, nga kjo akademi përkujtimore në St. Gallen, larg trojeve tona por kurrë larg zemrës shqiptare, ne dëshmojmë se malli për atdheun nuk shuhet me distancë. Përkundrazi — shpesh largësia e bën dashurinë për kombin edhe më të fortë. Edhe këtu, në zemër të Evropës, zëri i lirisë vazhdon të jehojë. Vazhdon të jetojë në kujtesën tonë, në gjuhën tonë, në këngët tona dhe në lotin e nënave që ende presin drejtësi morale për bijtë e tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Ka popuj që jetojnë gjatë, por harrojnë shpejt. Dhe ka popuj që plagët i mbajnë gjatë, sepse kujtesën e kanë të shenjtë. Ne duhet të jemi popull i kujtesës. Se një komb që harron dëshmorët e vet, rrezikon të humbasë edhe vetveten. Prandaj sonte, me respektin më të madh, ulemi para madhështisë së sakrificës së tyre. Jo me dobësi — por me krenari. Jo me urrejtje — por me ndërgjegje. Jo vetëm për të qarë të kaluarën, por për të mbrojtur të ardhmen. Lavdi të përjetshme dëshmorëve të UÇPMB-së! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar! Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe amaneti i tyre! Faleminderit.
—- Tre telegrame
Me rastin e Akademisë Përkujtimore në nderim të dëshmorëve të UÇPMB-së, ju dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe respektin më të thellë.
Kjo ngjarje nuk është vetëm një kujtim, por një thirrje e fuqishme për ndërgjegjen tonë kombëtare. Dëshmorët tanë janë themeli mbi të cilin qëndron dinjiteti ynë, janë zëri i heshtur që na udhëzon drejt unitetit dhe përgjegjësisë ndaj atdheut.
Sakrifica e tyre është e përjetshme dhe nuk matet me kohë. Ata jetojnë në çdo hap që bëjmë përpara, në çdo përpjekje për drejtësi, barazi dhe dinjitet për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe kudo.
Ju përgëzoj për organizimin e kësaj akademie dhe për përkushtimin tuaj që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë. Në këto momente, më shumë se kurrë, kemi nevojë të jemi bashkë, të qëndrojmë të fortë dhe të mos harrojmë rrënjët tona.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit.
Me respekt,
Arbër Pajaziti
Kryetar i Komunës së Bujanocit
—–
Të nderuar organizatorë të Shoqata Humanitare Lugina e Preshevës dhe Shoqata Medvegja,
të nderuara familje të dëshmorëve, veteranë, bashkëluftëtarë, mysafirë dhe pjesëmarrës të kësaj Akademie Përkujtimore.
Në emër të Kryetarit të OVL UÇPMB, z. Vllaznim Behluli, ju përcjell përshëndetjet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore me motivacionin: “Dëshmorët nuk vdesin kurrë”.
Sot, me rrespekt e krenari, përulemi para veprës dhe sakrificës së bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët dhanë jetën për liri, dinjitet dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Emrat dhe idealet e tyre mbeten të gjalla në kujtesën tonë kombëtare dhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
Dëshmorët janë themeli i lirisë sonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, por frymëzim për brezat që vijnë. Sakrifica e tyre na obligon që të ruajmë unitetin, dinjitetin kombëtar dhe të vazhdojmë angazhimin për të drejtat dhe perspektivën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Shprehim respektin më të lartë për familjet e dëshmorëve, të cilat mbajnë me krenari barrën e sakrificës më të madhe. Po ashtu, vlerësojmë çdo organizim që ruan kujtesën historike dhe forcon ndërgjegjen kombëtare.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Qoftë i paharruar amaneti i tyre!
Dëshmorët nuk vdesin kurrë!
Me respekt,
Në emër të Kryetarit të OVL UÇPMB, Vllaznim Behluli
—-
I nderuar Kryetar i SHHLP Dr.sci. Dashnim HEBIBI,
e nderuara Kryesi e Shoqatës Humanitare të Luginës së Preshevës,
familjarë të dëshmorëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc,
veprimtarë të çështjes kombëtare,
dhe të nderuar të pranishëm,
Me nderim të thellë dhe respekt të veçantë, ju përcjell përshëndetjet e mia më të sinqerta në këtë akademi përkujtimore, kushtuar dëshmorëve të UÇPMB-së — bijve dhe bijave më të denjë të Luginës së Preshevës, të cilët me guximin, sakrificën dhe idealin e tyre të lartë kombëtar u bënë themel i dinjitetit, qëndresës dhe aspiratës sonë për liri, barazi dhe drejtësi. Sot, kur jemi mbledhur për t’i kujtuar dhe nderuar ata që dhanë jetën për popullin dhe vendin e tyre, ne jo vetëm që përulemi me respekt para veprës së tyre heroike, por njëkohësisht ripërtërijmë zotimin tonë moral e kombëtar për të mos harruar kurrë sakrificën e tyre sublime.
Gjaku i dëshmorëve të UÇPMB-së mbetet dëshmi e gjallë e përpjekjes sonë të pandërprerë për dinjitet kombëtar, për të drejta të barabarta dhe për një të ardhme më të drejtë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kjo veprimtari përkujtimore është dëshmi e qartë se kujtesa historike dhe vlerat e luftës çlirimtare nuk janë zbehur, por ruhen dhe kultivohen me përkushtim të madh, falë angazhimit të pandërprerë të Shoqatës Humanitare të Luginës së Preshevës në Zvicër. Veprimtaria juaj e palodhshme në ruajtjen e vlerave patriotike dhe atdhetare të UÇPMB-së, në mbështetjen e familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe familjeve me kushte të vështira sociale, përfaqëson një mision fisnik, human dhe kombëtar, që meriton mirënjohje dhe respekt të veçantë.
Mërgata jonë në Zvicër dhe kudo në botë ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fuqishme e mbështetjes kombëtare. Në momentet më të vështira për popullin tonë, bashkatdhetarët tanë nuk kursyen asgjë për të ndihmuar kauzën kombëtare, familjet e dëshmorëve dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Kjo frymë solidariteti dhe përkushtimi duhet të vazhdojë edhe sot, sepse sfidat e kohës kërkojnë unitet, urtësi dhe angazhim të përbashkët. Dëshmorët nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës sonë të lavdishme, por edhe udhërrëfyes moralë për të tashmen dhe të ardhmen. Ata na mësojnë se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me përgjegjësi dhe me dashuri të madhe për atdheun. Nderimi ndaj tyre është obligim i përhershëm, ashtu siç është obligim ruajtja e unitetit kombëtar, dinjitetit dhe vlerave për të cilat ata ranë heroikisht. Amaneti i dëshmorëve mbetet obligim moral dhe kombëtar deri në realizimin e plotë të idealeve për të cilat ata sakrifikuan jetën.
Prandaj, ne duhet të jemi të bashkuar, të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit dhe të përkushtuar në ruajtjen e vlerave tona kombëtare, historike dhe njerëzore.
Në këtë ditë përkujtimore, shprehim mirënjohjen dhe respektin më të thellë për familjet e dëshmorëve, të cilat bartën dhimbjen më të madhe, por njëkohësisht i dhanë kombit krenarinë më të madhe. Sakrifica e tyre është e shenjtë dhe meriton nderim të përhershëm nga të gjithë ne. Duke ju falënderuar për këtë organizim dinjitoz dhe për kontributin tuaj të çmuar në shërbim të çështjes kombëtare dhe humanitare, ju uroj punë të mbarë, shëndet dhe suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të UÇPMB-së!
Nderim dhe respekt për familjet e tyre!
Respekt për veteranët dhe për të gjithë ata që i shërbejnë me përkushtim vlerave të lirisë dhe çështjes kombëtare!
Nazmi Hajredini – ish i burgosur politik, veteran i luftës, ish kryetar i OVL-së dhe themelues i saj
—–
Fjala e Zenel Nezirit, kryetar i Shoqatës Humanitare „Medvegja“ në Zvicër

Shumë i dashur Shef i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha,
Të nderuar miq, shokë dhe dashamirë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,
Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë të luftës, veteranë e pjesëtarë të uniformës së çlirimtarit,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot qëndroj para jush me ndjenja të veçanta respekti dhe përulësie. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë plotësisht sakrificën e atyre burrave dhe grave që dhanë më të shtrenjtën – jetën e tyre – për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e kombit tonë. Prandaj, sot përkulemi me nderim të thellë para jetës dhe veprës së dëshmorëve të UÇPMB-së, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre që me krenari mbajtën uniformën e çlirimtarit.
Kjo akademi përkujtimore, e cila tashmë ka një traditë të veçantë në Zvicër, nuk është thjesht një organizim ceremonial. Ajo është një amanet kujtese, një vend ku ruhet gjallë historia jonë kombëtare dhe ku brezat mësojnë se liria nuk erdhi rastësisht, por u fitua me gjak, sakrificë dhe qëndresë. Kjo akademi është ndër të vetmet aktivitete të këtij lloji që mbahet vazhdimisht në mërgatë dhe për këtë duhet të ndihemi krenarë, por edhe më të përgjegjshëm për ta vazhduar këtë rrugë.
Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, së bashku me Shoqatën “Lugina e Preshevës”, kemi qenë dhe do të mbetemi gjithmonë të bashkuar – si shqiponja me dy koka në një trup. Bashkëpunimi ynë nuk ka qenë vetëm në fjalë apo në paraqitje formale para institucioneve e zyrtarëve. Ne kemi punuar për vepra konkrete, për projekte reale në shërbim të çështjes kombëtare dhe të njerëzve tanë. Këto punë janë të dokumentuara në media, në aktivitetet tona dhe në dy monografitë që kemi botuar me krenari.
Ne besojmë se shoqatat nuk duhet të ekzistojnë vetëm për fotografi apo për formalitete. Shoqatat duhet të jenë zëri i popullit, mbështetja e familjeve në nevojë, ura që lidh mërgatën me vendlindjen dhe forca që ruan identitetin kombëtar. Dhe këtë mision do ta vazhdojmë me përkushtim edhe në të ardhmen.
Të dashur të pranishëm,
Trevat shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit po përballen me sfida të mëdha jetike, kombëtare dhe sociale. Shpopullimi, mungesa e perspektivës për të rinjtë dhe padrejtësitë e vazhdueshme janë plagë që kërkojnë angazhim më të madh nga të gjithë ne. Nuk mjafton vetëm të flasim për problemet; duhet të punojmë më shumë, të organizohemi më mirë dhe të jemi më afër njëri-tjetrit.
Sot, në këtë ditë të shenjtë kujtese, ne rikujtojmë jo vetëm dëshmorët e UÇPMB-së, por të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar në të gjitha trojet tona etnike. Ata nuk kursyen as jetën për idealin e lirisë. Ata na lanë amanet unitetin, dinjitetin dhe dashurinë për atdheun.
Për disa vite me radhë, ne kemi qenë pjesë e mbështetjes morale dhe organizative për mbajtjen e kësaj akademie. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë personalitete të shumta nga fusha e politikës, kulturës, luftës dhe mërgatës shqiptare. Pas periudhës së vështirë të pandemisë, ne arritëm ta rikthejmë këtë organizim dhe kjo dëshmon se kujtesa për dëshmorët nuk shuhet kurrë. Ata i kemi në zemër çdo ditë, jo vetëm në data përkujtimore.
Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve: mos e harroni veprën e dëshmorëve. Mos harroni ata që dhanë jetën që ne sot të flasim lirshëm shqip, të jetojmë me krenari dhe të mbajmë gjallë identitetin tonë kombëtar. Të jemi më të bashkuar se kurrë, sepse vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat që kemi përpara.
Dhe mbi të gjitha, mos e harroni Medvegjën. Mos harroni familjet shqiptare që ende qëndrojnë me dinjitet në trojet e tyre. Mos harroni sakrificën, qëndresën dhe nevojën për përkrahje të vazhdueshme.
Në fund, në emër të kryesisë dhe të gjithë anëtarëve të Shoqatës Humanitare “Medvegja” me qendër në Fully të Zvicrës, ju përcjell përshëndetjet më të sinqerta dhe mirënjohjen për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve!
Lavdi UÇPMB-së!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!
Në përmbyllje të akademisë organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit dhe theksuan se vitin e ardhshëm do të rikthehen edhe më të organizuar dhe më të bashkuar.
Mesazhi përmbyllës i akademisë ishte:
“Lavdi 28 dëshmorëve të UÇPMB-së. Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptar. Lavdi luftëtarëve të lirisë. Zoti e bekoftë Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, të gjitha trevat shqiptare dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët tanë. Paqe gjithandej.” /

Foto nga Daut Luboja, mjeshtër i merituar




