Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi sot se shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, ku deri tani kanë humbur jetën tre persona, nuk përbën fillimin e një epidemie apo pandemie globale.
Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, Maria Van Kerkhove, drejtuese e Departamentit për Përgatitjen dhe Parandalimin Epidemik në OBSH, theksoi se situata po monitorohet nga afër, por rreziku për publikun mbetet i ulët.
“Ky nuk është fillimi i një epidemie dhe as i një pandemie, por është një kujtesë e fortë se investimi në kërkime shkencore për patogjenë të tillë është jetik, pasi testet, trajtimet dhe vaksinat shpëtojnë jetë”, deklaroi ajo. Sipas OBSH-së, shpërthimi lidhet me variantin “Andes” të hantavirusit, i cili në raste të rralla mund të transmetohet nga njeriu te njeriu përmes kontakteve shumë të afërta. Autoritetet shëndetësore besojnë se rastet e para janë infektuar jashtë anijes, gjatë qëndrimit në Argjentinë.
Ndërkohë, OBSH bëri të ditur se Argjentina do të dërgojë rreth 2,500 komplete testimi në pesë vende për të ndihmuar në identifikimin e rasteve të mundshme dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, transmeton abcnews.




