POSTIMET E FUNDIT

“Dy Emra / Two Names” përmbyll xhirimet në Toronto: një urë artistike mes Shqipërisë dhe Kanadasë

Filmi shqiptar “Dy Emra / Two Names”, me skenar dhe regji nga Florenc Papas dhe me drejtor fotografie Ilias Adamis, ka përfunduar me sukses xhirimet në Toronto, duke shënuar një etapë të rëndësishme në realizimin e këtij projekti kinematografik. Lajmi është bërë publik nga producentja Gerta Qurku, e cila ndau në rrjetet sociale fotografi nga seti i filmit, duke reflektuar atmosferën e punës dhe përkushtimin e ekipit gjatë procesit të xhirimeve. Sipas saj, ky projekt ka sjellë së bashku profesionistë nga Shqipëria dhe Kanadaja, duke krijuar një bashkëpunim të veçantë artistik dhe kulturor.

“Dy Emra” konsiderohet si një dëshmi e lidhjeve gjithnjë e më të forta të krijimtarisë shqiptare me skenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar kinemanë shqiptare në një kontekst më të gjerë global. Në rolet kryesore interpretojnë Afrim Muçaj dhe Rina Krasniqi, të cilët pritet t’i japin jetë një rrëfimi me thellësi emocionale dhe dimensione njerëzore.

Producentja Qurku ka shprehur mirënjohje të veçantë për të gjithë aktorët, ekipin realizues dhe mbështetësit financiarë për kontributin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë rrugëtimit të filmit. Një falënderim i posaçëm iu drejtua gjithashtu Albanian Canadian Community Association dhe Ambasada e Shqipërisë në Ottawa, si dhe ambasadores Artemis Malo, për mbështetjen e vazhdueshme. Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar praninë e kinemasë shqiptare dhe asaj kosovare në arenën ndërkombëtare. Me përfundimin e xhirimeve, “Dy Emra / Two Names” hyn tashmë në fazën e post-produksionit, ndërsa pritet me interes nga publiku dhe kritikët si një tjetër hap i rëndësishëm për filmin shqiptar bashkëkohor, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB