Akademiku i njohur Rexhep Qosja, përpara së të ndahej nga jeta, ka lënë pas një letër ku ka shprehur amanetin e tij të fundit për nipin e tij Valjetin, i cili është kujdesur për të.
Në letrën e publikuar në faqen e Facebook-ut të tij, Qosja shkruan se nipi u kujdes për të dhe se kërkon që ai të merret edhe me varrosjen e tij.
Në letër ai thekson se ceremoninë mortore e do pa ritual fetar dhe të pranishëm të jenë vetëm familjarët e tij, teksa i bën thirrje që të mos marrë pjesë asnjë zyrtar.
Një tjetër kërkesë e akademikut ishte që ceremoninë mortore të mbahej pa fjalime, pa media, pa lule dhe afër varrit të gruas së tij, Shpresës.
“Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar”, thekson akademiku në letrën e tij.
Ky amanet i fundit është përmbushur, pasi Qosja sot u përcjell në banesën e fundit pa praninë e mediave dhe me një ceremoni private ku ishin të pranishëm vetëm familjarët e tij.
Letra e plotë:
Një letër për fundin. Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.
Valjeti, NIPIT TIM VALJETIT I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja /BS




