Familjarë të viktimave, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën sërish për të përkujtuar një nga ngjarjet më tragjike të historisë së re të Kosovës – Masakrën e Studenicës. Në një atmosferë të rëndë emocionale, kujtimet për të dashurit e humbur u rikthyen me dhimbje të freskët, duke dëshmuar se plagët e së kaluarës mbeten ende të hapura.
Me fjalë që prekin thellë, Enver Lipaj, babai i dy vajzave të ekzekutuara, përshkroi mizorinë e krimit që kishte përjetuar familja e tij. Ai rrëfeu se si viktimat u vranë në mënyrë çnjerëzore, duke u qëlluar fillimisht nga afër, më pas duke u hedhur në bunar dhe në fund duke u zhdukur gjurmët përmes shpërthimit. Dëshmia e tij rikujtoi jo vetëm dhimbjen personale, por edhe dimensionin e tmerrshëm të krimeve të kryera.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë qytetarë nga Istogu dhe mbarë Kosova, të cilët me praninë e tyre nderuan viktimat dhe ndanë dhimbjen me familjarët. Nënkryetari i Istogut, Genc Ademaj, theksoi se para përmendores fjalët shpesh janë të pamjaftueshme, pasi aty më shumë ndjehet sesa flitet. Ai e cilësoi Masakrën e Studenicës si një nga plagët më të rënda të historisë sonë, duke kujtuar familjet martire Lipaj, Mehaj dhe Zeqiraj.
Ndërkohë, kryetari i OVL-UÇK-së, Muhamet Demaj, u shpreh se kjo masakër nuk do të harrohet kurrë dhe se kujtimi për viktimat do të mbetet i gjallë përherë. Ai theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve është dëshmi e përkushtimit kolektiv për të mos harruar.
Pas manifestimit qendror, familjarë dhe qytetarë vendosën buqeta lulesh pranë përmendoreve, duke shprehur respekt dhe nderim për jetët e pafajshme të humbura.
Në këtë ditë përkujtimore, në Orrobërdë të Istogut u përurua edhe lapidari për dëshmorët e kombit Qazim Hakaj, Sylë Çetaj dhe Nexhmedin Hakaj. Në këtë diteë kujtimi morën pjesë edhe miq të familjes Lipaj të Prof. Dr. Xhavit Lipaj, dy mysafirë nga Zvicra me prejardhje nga Lugina e Preshevës, PhD Dashnim Hebibi dhe Rafet Ademi, të cilët ndanë respektin dhe solidaritetin e tyre me familjet e viktimave.
Këto përkujtime nuk janë vetëm rikthim në të kaluarën, por edhe një thirrje për drejtësi, kujtesë dhe unitet. Masakra e Studenicës mbetet një kujtesë e përhershme për sakrificën dhe dhimbjen, por edhe për forcën e një populli që nuk harron.




