Në prag të festës së Pashkës Katolike, Arqipeshkevi Metropolit i Tiranës-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët katolikë dhe familjet shqiptare. Në lutjen e tij, ai ka theksuar rëndësinë e reflektimit, solidaritetit dhe ndershmërisë, duke uruar shëndet, paqe dhe begati për çdo familje.
“Vdekja nuk e ka më fjalën e fundit, ndryshimi është i mundur dhe fillon nga zemra e njeriut. Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu. Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, u shpreh Dodaj.
Ashtu si çdo vit, besimtarët katolikë do të marrin pjesë në meshën solemne të Pashkës, e cila mbahet në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.
Ceremonia nis në orën 21:45 të së shtunës dhe zgjat deri në orën 01:30 të mëngjesit të së dielës, duke kulmuar me shpalljen e lajmit të madh: “Krishti u ringjall”, transmeton rtsh.




