Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit shëndetësor në vend. Kryeministri Albin Kurti theksoi se ky projektligj rikthehet për miratim pas sfidave të mëhershme në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Sipas Kurtit, qëllimi kryesor i këtij projektligji është garantimi i një sigurimi publik shëndetësor dhe përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët. Ai nënvizoi se përmes këtij ligji synohet të rritet mbrojtja sociale për shtresat në nevojë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e varfërisë dhe pabarazive në shoqëri.
“Ky projektligj krijon një mekanizëm të drejt të solidaritetit shoqëror, ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe përfiton sipas nevojës”, deklaroi Kurti, duke shtuar se ky është një hap drejt një sistemi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm financiarisht.
Ai e cilësoi këtë reformë si thelbësore për modernizimin e shëndetësisë në Kosovë dhe përmirësimin e standardeve të trajtimit, duke e bërë shtetin më të aftë për të përmbushur detyrimin e tij për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e vlerësoi projektligjin si një ndër iniciativat më të rëndësishme për të ardhmen e sistemit shëndetësor në vend. Ai theksoi se ligji është rezultat i një procesi të gjatë diskutimesh dhe analizash të thelluara mbi sfidat ekzistuese.
“Janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj të zbatueshëm dhe të përshtatshëm për realitetin tonë ekonomik dhe social”, tha Vitia, duke shtuar se pas më shumë se një dekade përpjekjesh, ky projektligj përfaqëson një moment kyç për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore.
Miratimi i këtij projektligji pritet të hapë rrugën për transformime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë, duke vendosur bazat për një sistem më efikas, më të drejtë dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, transmeton rtk.




