POSTIMET E FUNDIT

Mbi 2 mijë pacientë në pritje për stentim, mungesa e stentave alarmon familjarët

Mbi 2 mijë pacientë janë aktualisht në listë pritjeje për stentim në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e mungesës së stentave. Kjo situatë ka ngritur shqetësime të mëdha tek familjarët e pacientëve, të cilët paralajmërojnë se vonesat në trajtim mund të rrezikojnë seriozisht jetën e të sëmurëve.

Familjarët shprehen se pamundësia për të kryer ndërhyrjet në kohë, si dhe kostot e larta në sektorin privat, po i vendosin ata në një situatë të rëndë. Merita Sopi nga Prishtina tregon se babai i saj ndodhet për herë të dytë i shtruar në spital, por ende nuk ka mundur të kryejë ndërhyrjen e nevojshme për shkak të mungesës së stentave.

Ajo thekson se gjendja e tij është e rënduar, pasi ka bllokim të konsiderueshëm të enëve të gjakut, ndërsa ndërhyrja në klinikat private është e papërballueshme për familjen. Sopi apelon ndaj institucioneve që të ndërmarrin masa urgjente, duke theksuar se sëmundjet e zemrës nuk mund të presin dhe çdo vonesë mund të ketë pasoja fatale.

Edhe familjarë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim, duke theksuar se mungesa e stentave është një barrë e rëndë si për pacientët, ashtu edhe për familjet e tyre. Sipas tyre, kriza ekonomike dhe çmimet e larta të trajtimeve private e bëjnë të pamundur zgjidhjen jashtë sistemit publik.

Nga ana tjetër, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatri, ka konfirmuar se ekziston mungesë e disa llojeve të caktuara të stentave, por ka siguruar se situata është nën kontroll. Ai ka bërë të ditur se janë në përfundim të kontratës paraprake dhe se furnizimi pritet të normalizohet së shpejti.

Ndërkohë, zyrtarë nga Drejtoria e QKUK-së kanë njoftuar se kontratat për furnizimin me materialet e nevojshme tashmë janë nënshkruar dhe se kërkesat për furnizim janë proceduar. Sipas tyre, furnizimi me stenta pritet të realizohet në ditët në vijim.

Megjithatë, deri në stabilizimin e plotë të situatës, pacientët dhe familjarët e tyre mbeten në ankth, duke pritur një zgjidhje të shpejtë që do të mundësojë trajtimin në kohë dhe shpëtimin e jetëve, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB