POSTIMET E FUNDIT

Shefi i misionit konsullor Vigan Berisha zhvillon takim me znj. Lurata Reci në Cyrih

Cyrih, 25 mars 2026 – Në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, shefi i misionit konsullor Vigan Berisha ka zhvilluar një takim të rëndësishëm, siç raporton helveticALForum.ch. Gjatë këtij takimi, u mirëprit ngrohtësisht Lurata Reci, Presidente e Odës së Grave Shqiptare në Zvicër (ODGSH), një personalitet me përvojë të gjatë profesionale dhe një zë i fuqishëm në fuqizimin e grave shqiptare në diasporë. Me këtë rast, z. Berisha theksoi rëndësinë e rolit që luajnë gratë shqiptare në mërgatë, duke vlerësuar kontributin e znj. Reci si shembull frymëzimi dhe lidershipi. “Angazhimi i znj. Reci ndër vite është një dëshmi e qartë se diaspora jonë ka potencial të jashtëzakonshëm profesional dhe shoqëror. Roli i saj në fuqizimin e grave dhe në ndërtimin e urave bashkëpunuese është i pazëvendësueshëm,” u shpreh ai, transmeton helveticALForum.ch.

Ai shtoi se Konsullata e Kosovës në Cyrih mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativa që promovojnë zhvillimin profesional dhe integrimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. “Ne e konsiderojmë bashkëpunimin me organizata si Oda e Grave Shqiptare në Zvicër si një prioritet. Përmes këtyre partneriteteve synojmë të krijojmë më shumë mundësi për rrjetëzim, edukim dhe përfaqësim dinjitoz të grave shqiptare në shoqërinë zvicerane,” theksoi z. Berisha.

Ai gjithashtu nënvizoi se forcimi i rolit të gruas shqiptare në diasporë ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e komunitetit në tërësi, duke shtuar se Konsullata do të vazhdojë të mbështesë projekte konkrete që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët. Nga ana e saj, znj. Reci falënderoi për pritjen dhe vlerësimin, duke ritheksuar përkushtimin e saj për të vazhduar punën në shërbim të fuqizimit të grave shqiptare dhe rritjes së bashkëpunimit me institucionet. Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih vlerëson lart kontributin e znj. Reci dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në funksion të shërbimit ndaj diasporës shqiptare në Zvicër, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB